I vihet përsëri zjarri vendgrumbullimit të mbetjeve në Kameras! Reja toksike vjen deri në Kamëz, dyshohet se u vendos qëllimisht

Rikthehet përsëri zjarri masiv në vendgrumbullimin e mbeturinave në Kameras të Fushë-Krujës, duke shkaktuar një situatë alarmante mjedisore për të gjithë zonën rrethuese.

Ka dyshime të forta se zjarri është i qëllimshëm, pasi flakët i janë vënë të gjithë fushës së mbetjeve njëkohësisht. Zjarri u pa ditën e sotme teksa re tymi mbuluan zonën (27 gusht).

Kjo është hera e dytë brenda një periudhe rreth njëmujore që ky vendgrumbullim bie pre e flakëve.

Reja e dendur e tymit toksik ka mbuluar menjëherë zonën, ndërsa në varësi të drejtimit të erës, tymi po përhapet me shpejtësi drejt Mamurrasit dhe Kamzës, duke vështirësuar frymëmarrjen e banorëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po përpiqen të mbajnë flakët nën kontroll për të shmangur përhapjen e mëtejshme. Megjithatë, ekspertët bëjnë me dije se izolimi dhe shuarja e zjarrit është e pamundur të realizohet vetëm me ujë nga mjetet zjarrfikëse.

Kjo lloj vatre kërkon nevojë urgjente për ndërhyrje me mjete të rënda dhe fadroma për të bërë kapsulimin e mbetjeve me dhe, si e vetmja mënyrë efikase për shuarjen e plotë të flakëve nën sipërfaqe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT