DETAJET/ Një shqiptar mes 8 të arrestuarve për atentatin me 10 kg eksploziv ndaj biznesmenit greko-amerikan! Urdhri u dha nga Burgu i Malandrinos

Policia greke ka arrestuar sot 8 persona të dyshuar për përfshirjen në një atentat me eksploziv ndaj një biznesmeni greko-amerikan në ishullin e Lefkadës.
Ngjarja ka ndodhur në janar 2026, kur autorët dyshohet se vendosën një mjet shpërthyes në vilën e biznesmenit, në zonën pranë Agiofyllit.
Pajisja përmbante rreth 10 kilogramë dinamit xhelatinë, por fatmirësisht nuk shpërtheu. Sipas hetimeve të Policisë greke, urdhri për sulmin dyshohet se është dhënë nga dy të burgosur në burgun e Malandrinos, të cilët kanë përdorur bashkëpunëtorë jashtë burgut për planifikimin dhe realizimin e atentatit.
Të dyshuarit si organizatorë janë identifikuar si Mikel Selimaj, 46 vjeç, nga Vlora, dhe Evstratios Nousis, 31 vjeç, shtetas grek. Selimaj, i cili ka precedentë për vepra që lidhen me drogën, vjedhjet dhe grabitjet, ndodhet në paraburgim që prej majit 2025, i akuzuar për vrasjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Altin Arapaj në Rafina.
Ndërkohë, Nousis, i cili ka precedentë penalë që prej vitit 2015, ndodhet gjithashtu i arrestuar për vepra të tjera. Në janar të këtij viti, ai dyshohet se ka plagosur brenda burgut 46-vjeçarin nga Gjirokastra, Dhimo Meci, i akuzuar për vrasje me pagesë.
Sipas dosjes së Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje të DAOE-së, gjashtë bashkëpunëtorët e dy të burgosurve vendosën pajisjen shpërthyese në ballkonin e pasmë të vilës së biznesmenit. Mjeti përmbante 10 kilogramë dinamit xhelatinë dhe ishte pajisur me një fitil me djegie të ngadaltë. Pajisja u zbulua nga kujdestari i banesës, duke parandaluar shpërthimin dhe pasojat e mundshme të tij.
Gjashtë personat e arrestuar jashtë burgut akuzohen për “formim të një bande” dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe eksplozivët. Në të njëjtën dosje, dy të burgosurit e Malandrinos dyshohen si nxitësit e sulmit.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe një tjetër incident që lidhet me biznesmenin. Në muajin maj, ai dyshohet se ishte bërë objekt i një sulmi me armë në Voula, ndërsa autorët e atij incidenti nuk janë identifikuar.
Deri tani, motivi i vendosjes së eksplozivit në vilën e biznesmenit mbetet i paqartë. Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej të arrestuarve dhe për të përcaktuar nëse pas atentatit qëndron ndonjë konflikt apo aktivitet kriminal më i gjerë.