Fluks pacientësh në spitale, virozat dhe temperaturat e larta mbushin urgjencat

Fundi i muajit korrik dhe gushti kanë shënuar rritje të numrit të pacientëve që i drejtohen Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Në repartin e Urgjencës regjistrohen rreth 120 vizita në 24 orë.
Fluksi i pacientëve lidhet edhe me numrin e lartë të vizitorëve që ndodhen në Vlorë gjatë kësaj periudhe. Kjo reflektohet edhe në statistikat e Urgjencës, ku mes pacientëve të paraqitur nuk mungojnë të huajt dhe turistët që kanë zgjedhur qytetin bregdetar për pushime.
Temperaturat e larta të kësaj vere, të shoqëruara edhe me virozat e stinës, kanë sjellë një rritje të numrit të vizitave edhe në Urgjencën Pediatrike të Spitalit të Durrësit. Çdo 24 orë, në këtë shërbim paraqiten rreth 150 deri në 160 fëmijë, ndërsa më pak se 10 për qind e tyre kanë nevojë për hospitalizim.
Vera e nxehtë e shoqëruar me temperatura të larta është shoqëruar me fluks të shtuar të pacientëve të prekur nga virozat në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier. Sipas mjekut Ardit Hymeri, numri i rasteve ditore ka arritur deri në 200 vizita.
Fluks të pacientëve me gastroenterite ka pasur edhe në Tiranë. Simptomat më të zakonshme janë të vjella, diarre, temperaturë, dhimbje barku, dobësi trupore apo përgjumje.
Për shkak të frekuentimit të pishinave e plazheve nuk kanë munguar as rastet e infeksioneve të lëkurës, syve dhe veshit si dhe pickimet nga insektet.
Edhe pse në numër më të pakët rastesh, të pranishme janë edhe infeksionet virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, me rrufë, kollë e temperaturë të lartë, të cilat priten të rriten me fillimin e kopshteve dhe shkollave.