Fiton 1 milion euro në lotari, por e hedh gabimisht biletën, e gjen mes mbeturinave me ndihmën e kompanisë së pastrimit

Një familje në qytetin e Bitontos, në provincën e Barit, përjetoi dy herë emocionin e një fitoreje të madhe në lotari. Fillimisht kur zbuloi se kishte fituar çmimin prej 1 milion eurosh dhe më pas kur bileta, e hedhur gabimisht në mbeturina, u gjet pas një operacioni të pazakontë kërkimi.

Sipas Roberto Nicola Toscanos, administrator i kompanisë Sanb, e cila merret me grumbullimin dhe transportin e mbeturinave në Bitonto dhe zonat përreth, fituesi kishte zakon të blinte prej vitesh bileta lotarie duke luajtur gjithmonë të njëjtët numra, të zgjedhur në kujtim të një personi të dashur.

Kur kontrolloi biletën fituese, ai pa shënimin “non pagabile” (“nuk paguhet”) dhe e interpretoi gabimisht si një humbje. Në të vërtetë, ky shënim tregonte vetëm se fitimi, për shkak të shumës së madhe, nuk mund të tërhiqej në pikën e shitjes, por duhej ndjekur procedura zyrtare për pagesën.

Duke menduar se nuk kishte fituar asgjë, ai e la biletën në pikën e shitjes. Vetëm pasi bisedoi me familjarët, kuptoi se kishte fituar 1 milion euro. Kur u kthye për ta marrë, bileta ishte hedhur tashmë bashkë me mbeturinat dhe ishte transportuar nga punonjësit e pastrimit.

Menjëherë nisi një operacion i veçantë për ta gjetur. Kompania Sanb gjurmoi rrugën e qeses me biletat, nga momenti i grumbullimit deri te automjeti i kompresimit të mbeturinave. Me ndihmën e një kompanie tjetër të specializuar në përzgjedhjen e mbetjeve, punonjësit kontrolluan materialet për disa orë.

Rreth orës 05:30 të mëngjesit, një nga operatorët arriti të gjente biletën fituese. Ajo ndodhej brenda një qeseje të dëmtuar, mes biletave të tjera të shkatërruara, por kishte mbetur pothuajse e paprekur, duke i mundësuar fituesit të merrte çmimin prej 1 milion eurosh.

(Në foto: Roberto Nicola Toscano, drejtor i vetëm i Sanb, me biletën e rikuperuar)

Pas përfundimit me sukses të operacionit, punonjësit festuan me një kafe dhe blenë për shaka një tjetër biletë lotarie. Edhe këtë herë fati u buzëqeshi, duke fituar 50 euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT