“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Koçiu: Kredi deri në 2 milionë euro për bizneset. Në fokus, agroturizmi dhe agropërpunimi

Bizneset shqiptare që synojnë të zgjerojnë aktivitetin do të kenë mundësi të përfitojnë kredi të lehtësuara deri në 2 milionë euro përmes programit të ri qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Nga Pogradeci, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se programi synon të mbështesë veçanërisht sipërmarrjet në sektorin e agroturizmit dhe agropërpunimit, me qëllim rritjen e investimeve dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë në tregun europian.

Sipas Koçiut, përmes këtij programi sipërmarrësve u ofrohet mundësia për të përfituar kredi të lehtësuara me kushte favorizuese dhe me mbështetjen e garancisë sovrane të qeverisë.

“Dua të them se mendojmë se kjo do të ishte mundësia ideale. Programi më i ri i qeverisë, ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, ka të bëjë pikërisht me bizneset, me agroturizmin dhe agropërpunimin, për t’u dhënë mundësinë që, përmes një kredie të lehtësuar deri në 10 vjet dhe me një interes prej vetëm 2-3%, të përfitojnë financim deri në 2 milionë euro”, u shpreh Koçiu.

Ajo theksoi se një nga elementët kryesorë të programit është garancia sovrane, përmes së cilës shteti do të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të kolateralit, duke e bërë më të lehtë aksesin e bizneseve në financim.

“Qeveria shqiptare do të garantojë, përmes garancisë sovrane, deri në 70% të kolateralit, falë bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë. Kjo do të thotë se shteti do të dalë garant, në mënyrë që sipërmarrësit, pasi të hartojnë planin e tyre të biznesit, të kenë mundësinë të aplikojnë për një kredi të lehtësuar dhe të realizojnë investimet që kanë planifikuar”, deklaroi zëvendëskryeministrja.

Koçiu bëri të ditur se qeveria e ka nisur këtë program me një fond prej 250 milionë eurosh, ndërsa synimi është që ai të zgjerohet nëse rezulton i suksesshëm deri në 1 miliardë euro.

“E kemi nisur këtë program me 250 milionë euro për ta mbështetur. Nëse ai do të ketë sukses dhe do të ketë interes nga bizneset, ambicia jonë është që fondi të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje përmes këtij programi”, theksoi ajo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT