“Çdo koment i juaji është një klikim më shumë”, Rama mbron renditjen në sigurinë kibernetike: Metodologjia nuk ndryshon nga mllefi

Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar sërish mbi të dhënat, që konfirmuan se Shqipëria është renditur e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë.
Në një reagim në “Facebook”, kryeministri iu përgjigj kritikëve që e kanë kundërshtuar këtë vlerësim, duke deklaruar se renditja përcaktohet nga një metodologji ndërkombëtare dhe jo nga propaganda.
Më tej, Rama shkruan se “miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan”.
“NJË SHËNIM I NEVOJSHËM për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.
Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.
Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.
Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.
Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.
Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë:
Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund
Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova”, shkruan Rama.
Kryeministri e lidh këtë arritje me sulmin kibernetik të korrikut të 2022, kur infrastruktura digjitale shqiptare u godit nga një sulm i atribuar regjimit iranian.
Sipas Ramës, pas sulmit Shqipëria nisi ndërtimin e një arkitekture të re të mbrojtjes kibernetike dhe forcimin e kapaciteteve profesionale. Ai thekson se vendi u ngjit nga vendi i 54-t në vitin 2023, në vendin e 15-të në vitin 2025, përpara se të arrinte sot në krye të klasifikimit botëror.

