Betejë me zjarret në Dajt, Dibër dhe Librazhd, nuk ka rrezik për banesat! Ministria e Mbrojtjes: Sot 24 vatra, 6 ende aktive

Edhe pse shkon drejt normalizimit, vatrat e zjarrit mbeten me intensitet në numër.
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 të datës 25 gusht, në vend janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, ndërsa 5 vatra janë nën mbikëqyrje.
“Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës janë angazhuar në total 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor”, njoftoi ministria.
Fokusi kryesor vijon të jetë në Malin e Dajtit, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive.
Në operacion janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të FA-së dhe 7 forca të ADZM-së, me mbështetje të fuqishme nga ajri me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku vijon monitorimi me 4 efektivë të MZSH-së. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Malin e Dardhës, Librazhd, vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore të përshkruar prej rreth 7–8 ha dhe në terren vijojnë të operojnë efektivët e MZSH Librazhd; nuk rrezikohen banesa.
Ndërkohë, vatrat në Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun, Pukë, tashmë janë izoluar dhe nuk ka vatra aktive, duke vijuar vetëm monitorimi.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.