Berisha ngre pikëpyetje për arrestimin e Agasit: Akt i vërtetë apo dorëzim me kushte?

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me arrestimin e Ergys Agasit.

Berisha ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndalimit të tij pranë vilës, nën shoqërinë e Uljan Shpatarakut.

Ai e cilëson Agasin si “koordinator të plotfuqishëm të Edi Ramës me organizatat kriminale” dhe shpreh dyshime nëse arrestimi ishte “i vërtetë apo një dorëzim me kushte”.

Kryedemokrati kërkon gjithashtu monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor ndaj Agasit.

Arrestimi i Ergys Agasit afër vilës së tij, në shoqërinë e ushtarit famëkeq të karteleve Uljan Shpataraku, ndonëse është një akt për t’u përshëndetur, ngre një sërë pikëpyetjesh:
Së pari, a ishte ky një arrestim i vërtetë apo një dorëzim me kushte? Kjo pyetje lind sepse ai çdo natë ka fjetur kryesisht aty në shtëpinë e tij (dhe sipas rastit në Manzë), e përsëri askush nuk kujtohej se ai ishte në kërkim.
Së dyti, a është ky një akt i Lubisë për të futur në qerthull jo vetëm Ramën (të cilin e ka), por edhe Lindën, patronazhisten e AKSHI-t (cherchez la femme e frengut)?
Ergys Agasi, si koordinator i plotfuqishëm i Edi Ramës, Padrinos së Shqipërisë me organizatat kriminale dhe kartelet shqiptare të drogës, si dhe me kontrollin e tij mbi ministritë, AKSHI-n, SHISH-in dhe policinë, është padyshim një nga mafiozët më të rrezikshëm jo vetëm në Shqipëri e rajon, por edhe më gjerë. Procesi i tij gjyqësor kërkon nevojë urgjente për monitorim ndërkombëtar
“, shkruan Berisha.

Kujtojmë se Agasi, së bashku me Shpatarakun, u arrestuan këtë të mërkurë, pranë zonës së Plepave.

Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua pak kohë më parë në Francë, akuzohen për “grup të strukturuar kriminal” dhe “manipulim me tenderët” e ASHKI-t.

Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhen drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në “detyrim paraqitje”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT