Groenlanda detyron kompaninë amerikane të lidhur me Trumpin të shtyjë shpimet për naftë

Autoritetet e Groenlandës kanë detyruar një kompani amerikane të naftës, e lidhur me administratën e Donald Trumpit, të shtyjë planet për shpimin e puseve në territorin arktik.

Vendimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara rreth Groenlandës, pasi kompania kishte sjellë në korrik pajisje shpimi në bregun lindor të territorit pa marrë lejet përkatëse. Autoritetet groenlandeze i kishin dhënë kompanisë një paralajmërim të fortë për këtë veprim.

Vetëm një javë para datës së planifikuar për nisjen e shpimeve, qeveria e Groenlandës njoftoi se procesi i nevojshëm rregullator nuk mund të përfundonte në kohë dhe se lejet përkatëse nuk mund të merreshin përpara fillimit të planifikuar të punimeve.

Autoritetet kanë shprehur shqetësime lidhur me afatin e ngushtë për vlerësimin e ndikimit të projektit në mjedis dhe në komunitetet lokale. Tashmë duhet të vendoset nëse do të lejohet shpimi në një zonë ligatinore të mbrojtur, e cila është habitat për specie të rralla shpendësh dhe për kafshët muskoks, të rëndësishme për gjuetarët vendas.

Sipas qeverisë së Groenlandës dhe kompanisë, në skenarin më të hershëm, shpimet mund të nisin në dimrin e vitit 2027.

Ky afat është dukshëm më i gjatë se parashikimi i bërë në maj nga Jeff Landry, guvernatori republikan i Luizianës dhe i dërguari i Trumpit për Grenlandën. Pas një vizite në territor, Landry kishte deklaruar se nafta e supozuar nën tokën e Groenlandës mund të hynte në prodhim brenda rreth 10 muajsh.

Kompania Greenland Energy, e cila synon të zhvillojë kërkimet në rajonin e largët të Jameson Land, pretendon se aty mund të ndodhet naftë me vlerë deri në 1 trilion dollarë.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Robert Price, tha se Greenland Energy mbetet e përkushtuar ndaj programit të kërkimit të naftës dhe se do të shfrytëzojë kohën shtesë për të përmirësuar planet dhe për të forcuar marrëdhëniet me komunitetet lokale dhe autoritetet.

Kompania, e krijuar vitin e kaluar, ka planifikuar të investojë 60 milionë dollarë të mbledhura nga investitorët për shpimet, në këmbim të një pjese kontrolluese në projekt. Partneri britanik 80 Mile ka konfirmuar se shtyrja lidhet me nevojën për përfundimin e procedurave të lejeve dhe miratimeve rregullatore.

Megjithëse përfaqësuesit e Greenland Energy kanë mohuar se projekti ka lidhje me planet amerikane për aneksimin e Groenlandës, kompania ka disa lidhje me persona pranë administratës Trump.

Prezantuesi televiziv Phil McGraw, i njohur si Dr. Phil, ka një marrëveshje me kompaninë për një seri dokumentarësh mbi projektin. Në bordin e Greenland Energy ndodhet gjithashtu një veteran i marinës amerikane i përfshirë në projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome”, ndërsa miliarderi Kenneth Griffin, një donator i rëndësishëm i Trumpit, zotëron rreth 9 për qind të aksioneve të kompanisë.

Shtyrja e shpimeve pati ndikim të menjëhershëm edhe në treg. Aksionet e Greenland Energy ranë me më shumë se një të tretën pas njoftimit për vonesën, duke zbehur pritshmëritë e investitorëve për një rritje të mundshme të vlerës së kompanisë të nxitur nga mbështetja politike e Trumpit.

Groenlanda ka ndaluar dhënien e licencave të reja për kërkime nafte që nga viti 2021, duke e lidhur vendimin me krizën klimatike. Megjithatë, 80 Mile vazhdon të mbajë licenca eksplorimi të dhëna përpara këtij vendimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT