Alarm në Letoni, avionët e NATO-s rrëzojnë një mjet ajror pa pilot

Avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një mjet ajror pa pilot që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftuan Forcat e Armatosura Kombëtare të vendit.
Fillimisht, autoritetet letoneze aktivizuan një paralajmërim për kërcënim ajror në zonat e Augsdaugava, Preili, Rezekne dhe Balvi, duke u kërkuar banorëve të qëndronin në ambiente të mbyllura.
Qytetarët u këshilluan të ndiqnin të ashtuquajturin “parim të dy mureve” dhe të mos afroheshin pranë objekteve të dyshimta apo të rëna në tokë.
Më vonë, Forcat e Armatosura njoftuan se situata ishte vënë nën kontroll dhe se avionët luftarakë aleatë kishin neutralizuar me sukses dronin.
Autoritetet thanë se do të publikojnë më shumë informacion në vijim, ndërsa deri tani nuk është bërë e ditur se nga e kishte origjinën mjeti ajror pa pilot.
Ndërkohë, Finlanda vendosi përkohësisht kufizime në trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, pranë kufirit me Rusinë.