Tërmeti, 20 viktima, mbi 600 të plagosur, ka të tjerë nën rrënoja

Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, Shqipëria është në agoni, lot e trishtim.

Ka shpresë dhe lutje për të mos u rritur bilanci i jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja.

Deri më tani raportohen 20 të vdekur ndërsa janë rreth 600 të plagosur disa prej të cilëve, në gjendje kritike.

Vazhdojnë ende pasgoditje të njëpasnjëshme, disa prej të cilave shumë të forta.

Aktualisht 45 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerë në godinat e rrëzuara.

Në të paktën 9 godina në Durres, Thumanë dhe në lagjen e Kënetës dyshohet që ka viktima të tjera

Vijon gërmohet tek tre pallatet e shembura në Thumanë, një vilë në Kënetë, dhe në Durrës hotel “Mira Mare” , Hotel “Tropikal” , Hotel Vila “Palma” , një pallat i fundosur dy kate nën dhe në lagjen numër 6, dhe një pallat në lagjen numër 18 pranë Stadiumit.

Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha.

Rrëqethës ishte shpëtimi i një djali të vogël në prehrin e gjyshes së tij e cila mbeti e pajetë nën rrënoja.

Një foshnjë, gra, burra e vajza humbën jetën në Thumanë, ndërsa bilanc tragjik është shënuar edhe në qytetin e Durrësit, ku u shembën vila, godina biznese e hotele me pasoja të rënda.

Në Durrës tërmeti shembi edhe Kavaleshencën ku mbeti i pajetë në detyrë një efektiv i policisë, kryekomisari Bajram Hajdarmataj.

Në Thumanë, Kristian Preçi humbi jetën në liri prej dy ditësh, pasi kishte qenë në burg prej 5 muajsh.

Forcat speciale të Policisë, ato të armatosura, zjarrfikësit, Kryqi i Kuq të ndihmuar nga forca të Ushtrisë e Policisë së Kosovës kanë formuar grupe të përbashkëta kërkimi të personave të mbijetuar.

Disa kanë dhënë shenja jete me telefona duke kërkuar ndihmë, por operacionet në disa raste janë të vështira për shkak të rrënimit të plotë të godinave.

Në Kurbin një banor humbi jetën, pasi në panik pas tërmetit në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme, u hodh nga ballkoni i katit të tretë.

Në Lezhë, një banor ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin në panik humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT