Me not drejt Europës! Qindra emigrantë kalojnë detin për të hyrë në Spanjë

Qindra emigrantë kanë hyrë gjatë javës së fundit në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, duke kaluar nga Maroku. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i territorit, Juan Jesús Vivas, i cili paralajmëroi se fluksi i madh po tejkalon kapacitetet e autoriteteve lokale dhe i bëri thirrje qeverisë spanjolle të ndërhyjë.
Sipas raportimeve, ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, pritet të vizitojë Ceutën të premten për të vlerësuar situatën.
Pamjet e publikuara tregojnë emigrantë që kalojnë kufirin duke notuar në det me gomone dhe mjete të tjera lundruese, ndërsa të tjerë shihen duke hyrë përmes një porte në gardhin kufitar.
Ceuta, e vendosur në bregun verior të Marokut, por pjesë e territorit spanjoll, ndahet nga Spanja kontinentale nga Ngushtica e Gjibraltarit dhe prej vitesh është një nga pikat kryesore të hyrjes për emigrantët që synojnë të arrijnë në Europë.
Ka raportime të ndryshme për numrin e personave që kanë kaluar kufirin. Mediat spanjolle vlerësojnë se vetëm të enjten në Ceuta kanë hyrë nga 2 mijë deri në 3 mijë persona, megjithëse Guardia Civil nuk e ka konfirmuar këtë shifër.
Nga ana tjetër, televizioni publik spanjoll RTVE raportoi se gjatë ditës kanë hyrë “qindra” emigrantë, ndërsa mbi 1 mijë e 500 persona, kryesisht të rinj marokenë, kanë mbërritur në Ceuta gjatë dy javëve të fundit.
Juan Jesús Vivas deklaroi gjithashtu se në muajt e fundit janë gjetur 60 trupa të pajetë në det, duke e cilësuar situatën si një emergjencë humanitare dhe të sigurisë. Ai paralajmëroi se qendrat e pritjes për të miturit e pashoqëruar janë tejmbushur dhe funksionojnë disa herë mbi kapacitetin e tyre të parashikuar.
Rritja e fundit e fluksit ka rikthyer kujtimet e krizës së majit 2021, kur rreth 8 mijë persona hynë në Ceuta brenda pak ditësh, duke shkaktuar tensione diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.
Ceuta dhe Melilla, dy enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut, përbëjnë të vetmin kufi tokësor të Bashkimit Evropian me Afrikën. Edhe pse autoritetet spanjolle kanë forcuar masat e sigurisë në vitet e fundit përmes mbikëqyrjes më të rreptë, përforcimit të barrierave kufitare dhe bashkëpunimit me Marokun, përpjekjet e emigrantëve për të hyrë në territor vazhdojnë.