VIDEO/ “Nuk mundet të shitet si Arlind Qori”, Buzhala për Pacollin: Njerëzit e tij u bënë organizatorë të protestës në Tiranë

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar përmes një videoje ndaj qëndrimeve të fundit të Behgjet Pacollit në raport me protestën në Tiranë dhe qeverinë shqiptare.
Buzhala thotë se i ka bërë përshtypje, madje edhe e ka irrituar, qasja e Pacollit, i cili sipas tij është bërë gjithnjë e më antiqeveritar sa më shumë është rritur protesta në Shqipëri.
“Një send që më ka bërë përshtypje, që të mos them edhe më ka irritu pak, është qasja e fundit e Behgjet Pacollit në raport me qeverinë shqiptare”, shprehet Buzhala.
Sipas tij, jo vetëm Pacolli, por edhe njerëz të afërt me të dhe të angazhuar në Tiranë, janë afruar shumë me protestën dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje.
“Sa më shumë që u rrit protesta në Tiranë, aq më antiqeveritare u bë. Edhe jo veç Behgjet Pacolli, edhe njerëz të Behgjet Pacollit që i ka kontraktorë, që i ka punëtorë në Tiranë, janë shndërru në pothuajse organizatorët e protestës”, thotë ai.
Buzhala thekson se mbështetja për protestën është e drejtë, por sipas tij nuk mund të fshihet brenda pak javësh e gjithë historia politike dhe ekonomike e një personazhi publik.
“Pra i kanë qëndru afër protestës, i kanë prirë protestës, kanë bo thirrje me dalë në protestë. Krejt në rregull është. Mirëpo nuk munet me u shly komplet biografia e dikujt, komplet historia e dikujt brenda disa javëve”, shprehet gazetari.
Ai shton se Pacolli, në raport me Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare, nuk mund të paraqitet si figurë anti-establishment, duke përmendur edhe projekte të lidhura me aeroportin.
“Behgjet Pacolli në Shqipëri në raport me Edi Ramën, munet me kanë çdo gjë përveç anti-establishment. Ky aeroport këtu ku ju ka dhane zotit Beqir Pacolli dhe zotit Valon Ademi është dhane prej qeverisë së Edi Ramës”, thotë Buzhala.
Në fund, gazetari ironizon përpjekjen për ta paraqitur Pacollin si një kundërshtar të sistemit.
“Nuk është ndonjë kundërshtar i Edi Ramës. Nuk munet befasisht Behgjet Pacolli me u shit tash si Arlind Qori”, përfundon ai.