Çfarë partie po del nga protestat në Bulevard?!

Nga Ylli Pata
Kjo nuk është aspak një gjë e çuditshme, pasi mjaft qendra politike në Tiranë, apo edhe personazhe shumë të rëndësishme, jo vetëm 35 vitet e fundit, kanë qenë investim i rëndësishëm i qendrave gravitacionale jashtë vendit.
Dhe kështu ndodh përgjithësisht jo vetëm në vende si puna jonë që janë të vegjël, por edhe shtete të fuqishme e të mëdha. Në Itali, një fqinj i yni ku ka një njohje më të madhe prej nesh, demokristianët kanë qenë aleatë të ngushtë të amerikanët, ndërsa komunistët ishin satelitë të Moskës. Me rrëzimin e murit të Berlinit, gjërat nisën një process të ri, por qendrat e vjetra kanë ruajtur kozmosin e tyre. Jo më kot edhe Moska, apo edhe Pekini kanë aleanca fluide në disa prej forcave politike, plus SHBA-në.
Duket qartë se qendra si Ankaraja, Athina, por edhe lobe të rëndësishme politike europiane po mbështesin prej kohësh krijimin e një formacioni politik aleat. Ndërsa dy të parët synojnë të kenë lobe që të gjejnë influencën e tyre, ai europian është më shumë konvencional për të mbështetur një frymë dhe nismë të re politike.
Në këtë shtrat heterogjen, mesa duket po del apo po përpiqet të dalë forca e re politike e protestës, e cila do të ketë një proces të sajin formimi, që nuk është e thjeshtë.
Shto këtu edhe influencën e dukshme të Vetevendosjes së Albin Kurtit, i cili që prej 2018-n e ka një fiksim krijimin e një dege të tillë në Tiranë. Degë, të cilin Kurti duket se e ka dashur lineare me kontroll vertical, por gjërat nuk i erdhën sipas dëshirës. Siç u pa edhe në protestë, sinjali është që të kemi një parti të tipit të ri, formacion kontestues dhe ideologjik, të template të gatshme që vijnë nga grupacionet e majta në SHBA dhe Europë.
Një lloj Lëvizje 5 yje të përzier me pak Vetëvendosje apo patriotizëm, shto këtu edhe islamin politik. Ky lloj formacioni, duket qartë se ka një protokoll lëvizjeje apo mënyre funksionimi.
Ku në bazë është i ashtuquajturi rregull antestablishment që po shikohet në kontestimin e mediave edhe gazetarëve, edhe pse thuajse të gjithë personazhet që po dalin nga ky formacion, të gjithë janë lojtarë mediatikë, madje non sot. Thirrjet e këtyre personazve që u kanë mbirë në bark njerëzve nëpër media, për të bojkotuar mediat, edhe pse duket irracional, është një film i parë.
Të njëjtën gjë ka bërë Lëvizja 5 Yje në Itali, madje e bën edhe tani ku sulmon emra të rëndësishëm mediatic në vend. Të njëjtën gjë bën Albin Kurti, i cili edhe fushatat elektorale i bën me kauzën kundër disa gazetarëve të njohur të Kosovës.
Lëvizja 5 Yje e nisi kauzën e vet për të ardhur në pushtet kundër TAP-it, duke ngritur alarmin se do të prishen plazhet e famshme të Puglia-s.
Por kur erdhi në pushtet, Luigi Di Maio, numri dy i lëvizjes atëherë dhe ministër i Jashtëm, mbrojti fort TAP, si zgjidhje që furnizon Europën me gaz që nuk vjen nga Rusia.
Kontestimi, do të jetë një shtrat i gjatë, duke u nisur tek antiestablishmenti, si dhe kauza të lidhura me influencën si çështja anti-izraelite apo të lidhura me ta. Ndërkaq, në lidhje me idenë e planit apo vizionit të tyre zhvillimor, gjasat janë që duhet pritur të kalojë faza e pare./ TemA