Qytetarët i kërkuan SPAK-ut të hetojë Ramën, kryeministri ironizon me “The Albanian Files”: Libri del në shitje, së shpejti do e gjeni te “Adrioni”

Vetëm pak orë pasi disa nga protestuesit dorëzuan në SPAK librin “Albanian Files” të shërbejë si bazë për hetime ndaj kryeministrit, Edi Rama ka reaguar në lidhje me këtë veprim.
Në një postim të ndarë pasditen e sotme në rrjet, Rama bën me dije se libri do të gjendet së shpejti te libraria “Adrion”.
“LIBRI I MALLKUAR së shpejti në ‘Adrion’, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit” shkruan Rama në reagimin e tij.
Ashtu siç raportoi dhe newsbomb.al paraditen e kësaj të mërkure, protestuesit u paraqitën pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku dorëzuan simbolikisht librin“The Albanian Files”, të firmosur nga qytetarët gjatë protestës së zhvilluar të martën.
Gjatë tubimit të një dite më parë, protestuesit mblodhën firma në mbështetje të kësaj nisme, ndërsa njoftuan se krahas dorëzimit të librit, në ditët në vijim do të depozitojnë edhe një kallëzim penal ndaj kryeministrit Rama pranë SPAK.