“Diella nuk negocion me hijet”, Rama zbulon për herë të parë “sistemin nervor” të ministres tonë me IA: Ëndrra ime t’ia shes Gjermanisë, duhet të luftoni dhe ju korrupsionin

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të mërkurë në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit” në Gjermani, ku mbajti një fjalim të fokusuar te inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital i shtetit shqiptar, me theks të veçante te “Diella”, ministrja jonë e parë me IA.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në digjitalizimin e shërbimeve publike me mbi 1000 shërbime tashmë të disponueshme online. Sipas tij, kjo ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të adminsitratës dhe ka reduktuar kontakti fizik mes qytetarëve dhe institucioneve, duke shmangur kështu edhe rastet e korrupsionit.

“Bëmë një zgjedhje, të rishpiknim marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit. Sot Shqipëria ka më shumë se 1000 shërbime publike plotësisht digjitale dhe për të gjitha këto shërbime qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë askund dhe të takojnë askënd. Është jashtë mase e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri”, tha Rama i cili më tej nuk munguan as “mburrjet” me Diellën, të cilën e prezantoi si një hap të ri një përdorimin e inteligjencës artificiale në ëqeverisje.

Rama e përshkroi këtë nismë si një mënyrë për të rikonceptuar administratën publike dhe për të forcuar institucionet, por jo për të zëvendësuar njerëzit.  PËr herë të parë kreu i qeverisë zbuloi po ashtu edhe projektin “GOV IA”, i cili synon të lidhë institucionet shtetërore në një sistem të vetëm inteligjent, duke përmirësuar kështu analizën e të dhënave.

“Bëmë diçka që asnjë qeveri nuk e ka bërë më parë, e emëruam në rol kabineti Diellën. Ne nuk e sollëm Inteligjencën për të zëvendësuar nëpunësit, por për të rikonceptuar… Le të marrim prokurimin publik. Çdo qeveri duhet të blejë barna, rrugë, prokurimi publik është kur shteti i shndërron paratë publike në vlerë publike. Kanë bërë të mundur rrjedhjen e besimit publik dhe i bëmë vetes një pyetje tjetër: po sikur IA të bëhej një partneritet, jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet? Sot po ndërtojmë këtë gjë”, tha Rama, teksa nuk kurseu as batutat me të pranishmit në sallë.

Kryeministri  i cili tanimë njihet nga të gjithë për sportivitetin që ka tha se synimi i tij është që ky model të zhvillohet më tej dhe më pas “t’i shitet Gjermanisë”, që dhe këta të fundit të luftojnë kështu korrupsionin.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

Faleminderit për këtë mundësi dhe më lini të ndaj me ju disa mendime rreth asaj për të cilën më është kërkuar të flas: “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”. Një shekull më parë kjo sallë shndërronte çelikun në energji. Më pas bota një ditë ndryshoi, qymyrguri mbaroi, furnaltat ranë në qetësi dhe shumë e panë rajonin dhe menduan se do të shndërrohej në një muze kushtuar një epoke që tashmë kishte mbaruar. Njerëzit e këtij rajoni qëndruan brenda skeletit të ekonomisë së vjetër. Ata bënë të vetmen pyetje që ka çuar civilizimin përherë: çfarë mund të bëhej kjo. Përgjigjja na rrethon të gjithëve sot. Nuk ka vend më të mirë për të ngritur të njëjtën pyetje. Inteligjenca është e lehtë, nuk gjendet e fshehur në male në pritje për t’u nxjerrë, nuk i përket atyre që kanë lindur mbi minerale apo lumenj të caktuar.

Më lini t’ju tregoj një histori për Shqipërinë, që na kujton se sa shpejt historia mund të përmbysë veten. Pothuajse gjysmë shekulli jetuam brenda diktaturës më izoluese të këtij kontinenti, ndërtuam bunkerë në vend të urave, shteti dinte gjithçka për qytetarët, qytetarët nuk dinin asgjë për shtetin. Kur liria erdhi, trashëguam demokraci por edhe burokraci. Përtej çdo sporteli qëndronte dikush që zotëronte diçka më me vlerë sesa dokumenti, pushtetin për të marrë vendime. Sfida para nesh nuk ishte të digjitalizonim formularët, por të rikonceptonim vetë pushtetin, sepse dhe këtu vijmë te korrupsioni. Korrupsioni nuk është thjesht një dështim moral, është një dështim arkitekturor, lulëzon kudo ku mbijeton pushteti i vendimmarrjes së panevojshme. Bëmë një zgjedhje: të rishpiknim marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit. Sot Shqipëria ka më shumë se 1000 shërbime publike plotësisht digjitale dhe për të gjitha këto shërbime qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë askund dhe të takojnë askënd. Është jashtë mase e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri.

Bëmë diçka që asnjë qeveri nuk e ka bërë më parë, e emëruam në rol kabineti Diellën. Ne nuk e sollëm Inteligjencën për të zëvendësuar nëpunësit, por për të rikonceptuar… Le të marrim prokurimin publik. Çdo qeveri duhet të blejë barna, rrugë, prokurimi publik është kur shteti i shndërron paratë publike në vlerë publike. Kanë bërë të mundur rrjedhjen e besimit publik dhe i bëmë vetes një pyetje tjetër: po sikur IA të bëhej një partneritet, jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet? Sot po ndërtojmë këtë gjë. Ëndrra ime është ta finalizojmë dhe pastaj t’ia shesim Gjermanisë. Po, sepse pas 25 vitesh që Gjermania na vazhdon të na thotë të luftojmë korrupsionin, do të ishte fantastike që edhe gjermanët të luftojnë disa nga format e korrupsionit të tyre.

Rastësisht, Dielli nuk negocion me hijet, thjesht i largon ato. Përtej Diellës po ndërtojmë një gjë më pak teatrale, por më shumë të rëndësishme. E quajmë GOV IA. Nëse Diella është fytyra e transformimit tonë, GOV IA është sistemi nervor. Jo për t’i zëvendësuar ministritë, por për t’i lidhur ato. Mendojeni si një inteligjencë institucionale, një qeveri që të analizojë më shumë dokumente, të lidhë informacione që sot ndodhen në burokraci të ndara dhe të përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT