NYT: Izraeli planifikoi të vriste dy negociatorët iranianë, SHBA paralajmëroi fshehurazi Teheranin

Saga e marrëdhënieve SHBA-Izrael, ka një kapitull të ri: New York Times citon burime të saj të pohojnë se izraelitët kishin në plan të vrisnin dy negociatorët iranianë, Abbas Araghchi dhe Mohammad Ghalibaf gjatë zhvillimit të negociatave që synojnë fundin e konfliktit.
Sipas medias prestigjoze, kur amerikanët e zbuluan këtë plan, ata paralajmëruan Teheranin përmes ndërmjetësve, çka e shtyu Republikën Islamike të merrte masa sigurie shtesë. Që gjatë konfliktit, Izraeli e kishte bërë të qartë se i konsideronte objektiva legjitimë përfaqësuesit e regjimit, që nga politikanët e deri te drejtuesit ushtarakë. Tashmë, ka vrarë dhjetëra prej tyre, përfshirë edhe vetë liderin Suprem Ali Khamenei.
Qëllimi ishte destabilizimi i kundërshtarit duke e privuar nga figurat e tij më përfaqësuese. Më pas erdhi armëpushimi, të cilit qeveria Netanyahu i ishte kundërvënë teksa mbetej e vendosur të vazhdonte sulmet. Në këtë mënyrë, thotë Neë York Times, lindën përplasjet, edhe publike, me Shtëpinë e Bardhë.
Tel Avivi më pas do të kishte planifikuar goditjen e protagonistëve kryesorë të negociatave, si një mënyrë për të bllokuar dialogun dhe për të ndezur sërish luftën, vazhdon media prestigjoze, e cila kujton edhe një precedent të njohur, atë të Hassan Salameh, një drejtues i lartë palestinez që ishte bërë kanal komunikimi me CIA-n dhe që më pas u eliminua nga Mossadi në Bejrut në vitin 1979. Alarmi u rrit me rastin e takimit të planifikuar në prill në Islamabad mes zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance dhe delegacionit iranian.
Teherani, i shqetësuar, siguroi mbrojtjen e Pakistanit, ndaj avionët luftarakë pakistanezë shoqëruan avionin ku ndodheshin Araghchi dhe Ghalibaf, ndërsa pas bisedimeve, gjatë fluturimit të kthimit, shërbimet e sigurisë u informuan mbi praninë e dy avionëve luftarakë izraelitë që po afroheshin nga territori irakian.