“Digjitalizuam kadastrën”/ Rama: Në 2028 vëmë në punë teknologjinë për prokurimet publike

Në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, Kryeministri Edi Rama vlerësoi arritjet e digjitalizimit, duke theksuar se faza e re e ndërtimit të sistemit do t’i japë fund përfundimisht makthit të kadastrës.

Ai njoftoi se Shqipëria po punon me gjigandët e teknologjisë për të integruar inteligjencën artificiale në prokurimet publike, projekt i cili do të testohet vitin e ardhshëm për të hyrë në punë në vitin 2028.

Sipas kryeministrit, ky sistem i ri do të eliminojë plotësisht problemet me fondet publike dhe tenderat, pasi përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm përmes teknologjisë. Rama mori si shembull pozitiv edhe Maturën Shtetërore, ku falë ndryshimeve u shmangën të gjitha problematikat e viteve të kaluara.

“Digjitalizimi bëri që të hiqet një copë letër. Pushimet e emigrantëve ishin radhë mes plazheve dhe sporteleve për të marrë shërbim. Mbaroi puna drastike e milingonave për të digjitalizuar kadastrën, me mbështetje të BE, brenda afatit të përcaktuar. Tani vjen faza tjetër, vjen faza e ndërtimit të sistemit që do e bëjë përfundimisht kadastrën njësoj si të gjitha shërbimet e tjera. Do të ikë nga jeta e shqiptarëve edhe ky makth i kadastrës.

Sot, Shqipëria është duke punuar për të pasur modelin e parë të inteligjencës artificiale për prokurimet publike nga A-Zh. Ne jemi duke punuar me gjigandët e teknologjisë, do të testohet vitin e ardhshëm dhe më pas për të hyrë në punë në vitin 2028. Kur të jetë funksional do ta heqë përfundimisht problemin e fondeve publike dhe të tenderave. Përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm nga sistemi.

Të gjitha synimet e bëra në ligj synojnë këtë dhe padyshim që teknologjia do të ndihmojë shumë edhe në zona që janë më vulnerabël. U bë Matura Shtetërore dhe nuk u dëgjua asgjë nga ato që dëgjoheshin vitet e kaluar”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT