Flakët “përpijnë” masivin pyjor në Fushë-Arrëz, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme, FA ndërhyjnë me helikopter

Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë masivin pyjor në zonën e Iballës, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, duke rrezikuar një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Flakët kanë përfshirë zonën mbi lagjen Gere, ndërsa terreni i thepisur ka vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Shërbimet e Fushë-Arrëzit nuk kanë mundur të afrohen pranë vatrës së zjarrit dhe janë pozicionuar në qendër të Njësisë Administrative.
Banorët e zonës, së bashku me punonjës të shërbimit pyjor, kanë vijuar gjatë gjithë natës përpjekjet për të frenuar përhapjen e zjarrit, duke përdorur mjete rrethanore për izolimin e flakëve.
Pas zgjerimit të zjarrit në ekonominë pyjore Iballe-Mëzi, është kërkuar ndihmë nga Forcat e Armatosura. Një helikopter është angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin e perimetrit të zjarrit dhe vënien nën kontroll të situatës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur fillimisht në një zonë me shkurre. Autoritetet po hetojnë edhe pistën e zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa vijojnë përpjekjet për neutralizimin e vatrës.