Andy Burnham prezanton qeverinë e re britanike: Nis një epokë e re për vendin

Andy Burnham ka nisur zyrtarisht mandatin si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, duke prezantuar kabinetin e tij të ri qeveritar dhe duke premtuar një fillim të ri për vendin. Në fjalimin e tij të parë përpara Downing Street, Burnham deklaroi se synimi i qeverisë së tij është të “rikthejë shpresën”, të rivendosë besimin e qytetarëve te politika dhe të ndërtojë një ekonomi më të fortë e më të drejtë.

Njw nga emërimet më të rëndësishme tw qeverisw sw tij ishte ai i John Healey në postin e Kancelarit të Thesarit, një zgjedhje që u konsiderua surprizë, por që shihet si një figurë me përvojë dhe stabilitet për drejtimin e ekonomisë britanike.

Kabineti i ri përfshin gjithashtu Ed Miliband si Sekretar të Jashtëm, Shabana Mahmood në krye të Ministrisë së Brendshme, Louise Haigh si Sekretare e Parë e Shtetit dhe Kancelare e Dukatit të Lancaster, Yvette Cooper si Sekretare e Shëndetësisë, Pat McFadden në krye të Departamentit të Punës dhe Pensioneve, si dhe Angela Rayner, e cila rikthehet si Sekretare e Strehimit.

Në fjalimin e tij, Burnham pranoi se qytetarët janë lodhur nga paqëndrueshmëria politike e viteve të fundit, duke theksuar se qeveria e tij duhet të “bëjë më mirë” për të sjellë ndryshime reale. Ai u zotua për një qasje të kujdesshme ndaj ekonomisë, duke respektuar rregullat fiskale, por duke shfrytëzuar çdo mundësi për të investuar më shumë në infrastrukturë dhe zhvillim.

Kryeministri i ri njoftoi se ditët në vijim do të prezantohet një paketë mbështetëse për përballimin e kostos së jetesës, e cila pritet të përfshijë uljen e faturave të energjisë, mbështetje për transportin publik dhe masa të tjera për familjet britanike.

Burnham vendosi gjithashtu në qendër të programit të tij decentralizimin e pushtetit, riindustrializimin e vendit, reformimin e sistemit të kujdesit social dhe luftën kundër varfërisë. Një nga vendimet e para të qeverisë së tij do të jetë hartimi i një plani për t’i dhënë fund fenomenit të fjetjes në rrugë.

Në arenën ndërkombëtare, telefonatat e para të Burnham si kryeministër ishin me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke sinjalizuar se politika e jashtme do të mbetet një prioritet i rëndësishëm i qeverisë së re.

Përbërja e qeverisë së re

  • Kryeministër: Andy Burnham
  • Kancelar i Thesarit: John Healey
  • Sekretar i Jashtëm: Ed Miliband
  • Sekretare e Brendshme: Shabana Mahmood
  • Sekretare e Parë e Shtetit & Kancelare e Dukatit të Lancaster: Louise Haigh
  • Sekretare e Shëndetësisë: Yvette Cooper
  • Sekretar për Punën dhe Pensionet: Pat McFadden
  • Sekretare e Strehimit: Angela Rayner

Back to top button
LAJMET E FUNDIT