Dhuna mes adoleshenteve në Fier, psikologia Valbona Treska: Përgjegjësia kryesore fillon nga familja

Psikologia Valbona Treska deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se familja është e para përgjegjëse, sa i përket ngjarjes së fundit të dhunës mes adoleshentëve.

Treska thekson se përgjegjësia kryesore fillon nga familja, e cila luan rol themelor në formimin e personalitetit të fëmijëve që në fazat më të hershme të jetës.

“Do ta nisja në fakt që në vegjëli. Është një marrëdhënie dashurie pa dashje, marrëdhënie që janë të deformuara, marrëdhënie që nuk janë të ndërtuara të sigurta, marrëdhënie që lënë për të dëshiruar… marrëdhënie që pa dashur prodhojnë këto skema në psikën e individit, të cilat janë gjithashtu të deformuara, që kërkojnë konfirmim vazhdimisht nga bashkëmoshatarët, nga më të rriturit, sepse flasim për një vetëvlerësim që nuk është i formuar ashtu siç duhet”, – u shpreh psikologia Treska.

Ajo nënvizon se jo çdo individ në situata të vështira zhvillon sjellje agresive ose dhunuese.

“A do ta bënte këtë gjë kushdo? Unë mendoj që jo. Jo çdo individ që ndodhet në një situatë të tillë do ndërmerrte të njëjtën sjellje”, tha Treska, duke shtuar se ata që ushtrojnë dhunë shpesh tregojnë mungesë empatie dhe prirje për të denigruar të tjerët.

Psikologia sqaroi se kur flet për individë “të pashëndetshëm”, nuk i referohet domosdoshmërisht sëmundjeve psikike, por gjendjes psikologjike dhe emocionale.

“Kur themi i shëndetshëm, flas i shëndetshëm psikologjikisht dhe emocionalisht. Jo çdo individ do bënte një sjellje të tillë”, tha ajo.

Treska pranon se të gjithë në njëfarë mënyre janë viktima të rrethanave, por kjo nuk i përjashton përgjegjësitë individuale dhe familjare.

“Kështu që kur thuhet që në fakt të gjithë janë viktima të të gjithëve, është e drejtë, sepse po të marrësh secilën prej tyre — mënyrën si është rritur, mungesën e vëmendjes, situatën sociale… mungesën e vëmendjes edhe nga mësueset, nga shkolla, nga persona që kanë mundësi të ndihmojnë… Por pa dyshim familja është e para”, nënvizoi Treska.

Duke iu përgjigjur pyetjes se ku duhet të fillojë adresimi i problemit, Treska u shpreh kategorikisht: “Shiko, familja padyshim është e para… Por pa dyshim familja ngelet thelbi. Një person nuk formohet 15 vjeç, as 17, as 10. E ka marrë formimin që në familje, që kur është në barkun e nënës… pesë vjeç, ka krijuar një pjesë të madhe të personalitetit”.

Ajo përfundoi me një thirrje të fortë: “Kështu që mos presim që atë fëmijën 15 vjeç, mbas gjithë problematikave që mund të ketë pasur familja, mbas gjithë pavëmendjes që ka pasur familja, ta lëshojmë në botën e madhe t’i themi ‘tani mbijeto’. Ai do mbijetojë në mënyrë jo të drejtë ndoshta”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT