Deklarata skandaloze e ministres serbe për Kosovën, Berisha: Të shpallet non grata

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në deklaratën për mediat sot në 16 korrik uroi së pari të gjithë funksionarët e PD-së që u zgjodhën në Këshillin Kombëtar.
Berisha shprehet se zgjedhjet brenda partisë kanë qenë të rregullta e demokratike. Sipas tij, partia është duke u ripërtërirë.
“Uroj nga zemra të gjithë ata që u zgjodhën në Këshillin kombëtar. Uroj Belind Këlliçin, Erisa Bajazitin dhe Nikola Kedhin, që u zgjodhën për herë të parë nënkryetarë të Partisë Demokratike. Dua të uroj Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Nokën për rizgjedhjen në këtë post. Dua të uroj Klevis Balliun për zgjedhjen si Sekretar Organizativ, Andi Mustafën, Marash Logun, Floralba Dizdarin, Gentjan Kapratën, Endira Bushatin, Franc Nuri, Shkëlqim Lepenica etj”, tha Berisha.
Komentoi edhe reformën territoriale dhe atë zgjedhore.
“Për reformën territoriale, PS ka dalë me një variant, që ne e kundërshtojmë. Nuk jemi aspak dakord me variantin e tyre dhe do bëjmë çdo gjë që të mund ta kundërshtojmë. Rama nuk merr parasysh asgjë, nuk merr parasysh asnjë propozim që vjen nga opozita. Ne mbështesim kërkesat e protestuesve, që kanë mbi 45 ditë që protestojnë në Tiranë”, tha Berisha.
Foli edhe për deklaratën e ministres serbe, që tha se “nëse do ishte në vend të Millosheviçit, do e kishte pastruar etnikisht Kosovën”. Berisha theksoi se ministrja serbe duhet shpallur non grata.
“Kjo deklaratë është tepër e rëndë. Ministrja serbe duhet shpallur non grata. Qeveria shqiptare shpall non grata qytetarë të Prizrenit, pse marrin pjesë në protestë. Ndërsa shpall non grata qytetarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, nuk guxon të shpallë non grata ministren monstër, që kërkonte spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.
Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës, regjim vasal ndaj Beogradit”, përfundoi Berisha.