Censi për bujqësinë, ministri Salla: Sektori në një realitet të ri, ta njohim që ta zhvillojmë

Ministri i Bujqësisë Andis Salla, sot më 16 korrik, në fjalën e mbajtur në Parlament prezantoi nismën për mbajtjen e censit për bujqësinë, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për hartimin e politikave publike në sektor.
Ai theksoi se bujqësia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme vitet e fundit, me rritje të investimeve, zhvillim të agropërpunimit dhe zgjerim të eksporteve. Sipas Sallës, të dhënat aktuale nuk janë më të mjaftueshme për të mbështetur vendimmarrjen dhe për këtë arsye nevojitet një census i ri sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Salla sqaroi se Regjistri Statistikor i Njësive Ekonomike Bujqësore do të ketë vetëm funksion statistikor dhe nuk do të krijojë detyrime fiskale apo kontrolli për fermerët. Ai shtoi se procesi do të organizohet nga INSTAT, ndërsa Ministria e Bujqësisë do të përdorë të dhënat për hartimin e politikave sektoriale. Në përfundim, ministri u bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, ekonomisë dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Fjala e ministrit të Bujqësisë Andis Salla në parlament për censin për bujqësinë
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Sot shqyrtojmë një projektligj që, në pamje të parë, mund të duket si një nismë me karakter teknik. Në të vërtetë, ai përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për ndërtimin e politikave publike në sektorin e bujqësisë.
Që nga koha e realizimit të censusit të fundit, sektori ka kaluar ndryshime të rëndësishme. Janë shtuar investimet në sera, pemëtari dhe blegtori, është zhvilluar agropërpunimi, janë zgjeruar eksportet, janë krijuar modele të reja organizimi të fermave dhe janë rritur kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Në të njëjtën kohë, janë shfaqur edhe sfida të reja që lidhen me strukturën e fermave, përdorimin e tokës dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi prodhimin bujqësor.
Përballë këtij realiteti të ri, të dhënat e aktuale nuk janë më të mjaftueshme për të mbështetur vendimmarrjen. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë për një census të ri të bujqësisë, të zhvilluar sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare dhe evropiane.
Ai do të mbulojë të gjitha njësitë ekonomike bujqësore që përdorin tokë bujqësore ose ushtrojnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral, duke siguruar mbulim të paktën të 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore dhe të njësive blegtorale në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky projektligji garanton organizimin dhe zhvillimin e Censit të Bujqësisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Eurostat-it, duke garantuar që Shqipëria të disponojë të dhëna të plota, të krahasueshme dhe statistikisht të besueshme.
Ky nuk është një ushtrim administrativ dhe as një proces që zhvillohet vetëm për qëllime statistikore.
Përmes tij do të krijohet për herë të parë një panoramë e plotë dhe e integruar e strukturës së bujqësisë shqiptare.
Do të kemi informacion të besueshëm mbi numrin dhe madhësinë e njësive ekonomike bujqësore, përdorimin e tokës, kulturat bujqësore, blegtorinë, mekanizimin, fuqinë punëtore, praktikat e prodhimit, si dhe mbi karakteristikat ekonomike e sociale të fermave shqiptare me të dhëna do të jenë baza mbi të cilën do të ndërtohen politikat e ardhshme të zhvillimit rural.
Kjo është arsyeja pse censi nuk është një qëllim në vetvete.
Për ne, si Ministri e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, rëndësia e këtij projektligji shkon edhe më tej.
Rezultatet e këtij censi do të përbëjnë një instrument të pazëvendësueshëm për hartimin e politikave të sektorit, për planifikimin e investimeve publike, për orientimin e skemave kombëtare të mbështetjes dhe për përgatitjen e Shqipërisë për zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Po aq e rëndësishme është edhe besueshmëria e këtij procesi.
Një nga elementët themelorë të projektligjit është krijimi i Regjistrit Statistikor të Njësive Ekonomike Bujqësore.
Dua ta theksoj edhe një herë se bëhet fjalë ekskluzivisht për një regjistër statistikor.
Ai nuk është një regjistër fiskal, nuk është një regjistër kontrolli, dhe mbi të gjitha nuk krijon detyrime të reja për fermerët.
Ai shërben vetëm për prodhimin e statistikave zyrtare dhe administrohet nga INSTAT-i, në përputhje me parimet e pavarësisë profesionale, konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Kjo është garancia më e mirë që fermerët të kenë besim në këtë proces dhe të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të tij.
Po aq e rëndësishme është edhe ndarja e qartë e përgjegjësive institucionale.
INSTAT-i organizon dhe zhvillon procesin e censit sipas standardeve statistikore ndërkombëtare, ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështet realizimin e tij dhe përdor rezultatet për ndërtimin e politikave sektoriale.
Kjo është një ndarje që garanton njëkohësisht pavarësinë e statistikave zyrtare dhe përdorimin efektiv të tyre në vendimmarrje.
Përfituesit e këtij procesi janë të shumtë.
Përfitues janë institucionet publike, të cilat do të kenë një bazë shumë më të fortë për hartimin e politikave dhe planifikimin e investimeve.
Përfitojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të disponojnë informacion më të plotë mbi zhvillimin e territorit rural dhe potencialet e tij.
Përfitojnë universitetet, institutet kërkimore dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të kenë akses në statistika moderne dhe të standardizuara.
Por mbi të gjitha, përfiton fermeri shqiptar.
Sepse vetëm duke njohur me saktësi realitetin e fermave, mund të ndërtojmë politika që u përgjigjen nevojave reale të tyre.
Prandaj ky projektligj i shërben:
fermerit
zhvillimit rural
ekonomisë kombëtare
si dhe procesit të integrimit evropian.
Financimi i ketij procesi do të sigurohet në radhë të parë nga buxheti i shtetit, përmes fondeve të planifikuara në buxhetin e INSTAT-it, si institucioni përgjegjës për realizimin e censit.
Njëkohësisht, ligji parashikon mundësinë që ky proces të mbështetet edhe nga fondet e Bashkimit Evropian dhe nga partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit, në përputhje me praktikat e ndjekura edhe në censet e mëparshme.
Në një kohë kur kërkohet gjithnjë e më shumë që politikat publike të jenë të bazuara mbi evidencë dhe jo mbi perceptime, ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një administrate moderne, transparente dhe të orientuar nga rezultatet.
Kërkojmë të mbështesni miratimin e këtij projektligji kaq të rëndësishëm për censusin shqiptar.
Ju faleminderit