Prokuroria Evropiane zbulon skemë mashtrimi me fondet bujqësore, 22 të pandehur në Greqi, mes tyre 4 deputetë

Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) ka ngritur akuza ndaj 22 personave në Greqi për skandalin e subvencioneve bujqësore të administruara nga OPEKEPE, duke dërguar çështjen në gjykatë. Mes të pandehurve janë katër deputetë në detyrë dhe disa ish-zyrtarë të lartë të administratës publike. Sipas njoftimit të EPPO-së, tre deputetë akuzohen për nxitje të shpërdorimit të detyrës, ndërsa një deputet tjetër për nxitje të administrimit të paligjshëm të fondeve të Bashkimit Evropian. Njëri prej tyre përballet gjithashtu me akuza për nxitje të falsifikimit të dokumenteve dhe tentativë për mashtrim kompjuterik.
Nga ana tjetër, hetimet ndaj shtatë deputetëve të tjerë në detyrë janë pushuar për mungesë provash. Në listën e të pandehurve përfshihen edhe ish-presidenti i OPEKEPE-së, ish-drejtori i përgjithshëm për pagesat direkte, dy ish-drejtorë rajonalë të agjencisë, një punonjës i zyrës politike të një deputeti aktual dhe një bashkëpunëtor i një ish-ministri.
Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit rrezikojnë dënime me burg deri në pesë vjet, si dhe gjoba. Sipas Prokurorisë Publike Evropiane, hetimet kanë zbuluar një skemë të organizuar mashtrimi me fondet bujqësore të Bashkimit Evropian, të administruara nga Agjencia Greke e Pagesave dhe Kontrollit për Ndihmat Komunitare në Bujqësi (OPEKEPE). Prokurorët evropianë thonë se janë evidentuar raste të ndërhyrjeve të paligjshme në kontrollet administrative, ndryshime të mëvonshme në dokumentacionin zyrtar, manipulim të rezultateve të inspektimeve dhe lëshim të certifikatave të rreme për përfitimin e fondeve.