“Kleçka” e Anti KÇK, sekuestrimi shmang prokurorët e gjyqtarët

Ligjin e cilësuar si Anti KÇK, qeveria “Rama” e ka veshur me petkun e betejës në luftë kundër terrorizmit të goditjes së pasurive të krijuar nga krimi i organizuar. Akti normativ i miratuar në mbledhjen e djeshme mban titullin “Masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” e kjo për të bindur edhe ndërkombëtarët për luftën pa kompromis të qeverisë nga kërcënimet që vijnë nga jashtë.

Akti normativ ka një efekt të përkohshëm, pasi do të zbatohet deri në 31 dhjetor të këtij viti. Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme.

Për të parandaluar, zbuluar, dokumentuar dhe goditur krimin të organizuar dhe krimeve të rënda, apo sekuestrimeve, ashtu si është paralajmëruar do të jetë detyrë e strukturës së veçantë në Policinë e shtetit, OFL-së, që cilësohet “Operacioni Forca e Ligjit”. OFL-ja së bashku me Drejtorinë e Antiterrorit janë strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit për zbatimin e dispozitave të këtij akti normativ.

A shmangen gjyqtarët e prokurorët? Lleshaj në krye të komitetit
Në aktin normativ, që akoma nuk është botuar në Fletoren Zyrtare për të hyrë në fuqi nuk përmendet në asnjë fjalë gjyqtarë e prokurorë që duhet të verifikojnë pasuritë e tyre të krijuara. Në sekuestrimin e pasurive me aktin normativ nuk përmendet asnjë nen i Kodit Penal që parashikohet në nenet për korrupsionin pasiv apo aktiv të zyrtarëve. E vetmja gjë ku mund të kapen, mund të jenë personat e tretë që kanë krijuar pasuri të dyshimtë, ku mund të aludohet se mund të kapen familjarët e gjyqtarëve apo prokurorëve. Në 44 nenet e Kodit Penal që përmenden në këtë Akt normativ nuk përfshihen zyrtarët e lartë shtetërorë. Për konfiskimin e pasurive parashikohet ngritja e një komiteti të posaçëm, i cili do të drejtohet nga ana e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Komiteti ka në përbërje ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sekuestrimi i pasurive do të bëhet edhe ndaj personave të tretë që dyshohet se kanë krijuar pasuri të dyshimtë, që nuk e justifikojnë me të ardhurat.

Për sekuestrim do të zbatohet neni 16 ndaj pasurive të përdorura në mënyrë të tërthorë nga: personat e afërm (bashkëshortët, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëjetuesit për periudhën e 5 viteve të fundit) për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta; personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e parashikuar në nenin 5, si subjekte të këtij akti normativ, ose janë përdorur, kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në një formë të caktuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme prej tyre.
Akti parashikon edhe sekuestrime në raste emergjente brenda 72 orësh dhe kjo bëhet në rastet kur ka dyshime për pasurinë e krijuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit menjëherë, dhe në çdo rast brenda 72 orëve nga nxjerrja e urdhrit për masën e sekuestros, i referon çështjen prokurorit dhe i kërkon vleftësimin e masës së sekuestros.

16 shoqata kundër anti KÇK

Për aktin normativ kanë reaguar 16 shoqata, të cilat kanë renditur tre shkeljet e para. Në një deklaratë 16 OJF-të që kryesohen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti për Studimet politike dhe Birn Albania theksohet se gjyqtarët e prokurorët mund të kontrollohen vetëm nga organet e reja të drejtësisë, por as Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas tyre të drejtën e paraqitjes së ankimeve apo të nisjes së procedimeve e Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Kjo normë kushtetuese është e përcaktuar në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se këtë e ka përcaktuar dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj në dhjetor të 2017-ës.
“Sipas nenit 28 të Rregullores së Kuvendit nuk lejohet procedura e përshpejtuar e projektligjeve të parashikuara nga neni 81 pika 2 e Kushtetutës, pra ligje që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar prej të paktën 3/5 e deputetëve. Shtesat ose ndryshimet ligjore që mendohen t’u bëhen disa prej ligjeve të përmendura më lart me aktin normativ, janë miratuar me votim të cilësuar domethënë në bazë të nenit 81 pika 2 e Kushtetutës”, është argumenti tjetër i 16 shoqatave. Si konstatim tjetër theksohet se me vendimin nr. 11 datë prill 2008, Gjykata Kushtetuese, ku i cilëson si një presion ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve. Gjykata me vendimin e saj shfuqizoi nenin 315 i Kodit Penal të titulluar “Dhënia e një vendimi të padrejtë”. Në këtë vendim midis të tjerave thuhet “se gjykata çmon se mundësia e fillimit të ndjekje penale ndaj një gjyqtari për dhënien e një vendimi përfundimtar, ndërkohë që vendimi mund të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë, krijon një presion të papërshtatshëm ndaj gjyqtarit, çka do të dëmtonte dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dhe më poshtë thekson se “vendimet e një gjyqtari kundërshtohen vetëm në një gjykatë më të lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimit gjyqësor derisa ato nuk janë ndryshuar ose prishur sipas ligjit”.

Gazeta Si

Back to top button
LAJMET E FUNDIT