Kurti: Prioritet makro-shengeni shqiptar! Rama: Jo pa shengenin ballkanik /Video

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministri Albin Kurti, i cili nisi vizitën në Tiranë.

Rama theksoi se është rënë dakord për të nisur përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive në Shkodër.

“Dua të them që ishte kënaqësi të mirëpresim sot delegacionin e kryesuar nga kryeministri i ri i Kosovës.

Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë.

Kemi rënë dakord të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër. Duhet të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim një komision të përbërë nga ministra për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve dhe identifikuar problematikat dhe adresimin e tyre në mbledhjet e dy qeverive”, tha Rama

Më tej, Rama theksoi se jemi të gatshëm për të hequr kufirin mes dy shteteve. “Ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në betejën për njohjen si një shtet sovran”.

Kurti u shpreh në fjalën e tij se është diskutuar pak për Mini Shengenin ballkanik, por theksoi se është sot në Tiranë për makro shengenin shqiptar.

“I gëzuar që ndodhem në Tiranë dhe një orë dhe bëhet një javë që jam në detyrën e re. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Prekazi dhe shteti i parë duhet të ishte Shqipëria.

Ju falënderoj për mikpritjen dhe për bisedën konstruktive., Në dekadën e tretë të shekullit XXI të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipërisë.

Ramë dakord të krijojmë një komision ndërshtetëror që 77 marrëveshjet e nënshkruara deri tani të zbatohen dhe të shtohen me të tjera.

Duam që ta shtojmë bashkëpunimin duke e thelluar atë. Falënderoj Shqipërinë për ndihmën e përkrahjen e pakursyer për Kosovë. Kosova nuk do ja dilte me sukses në luftë e në paqe ndaj Serbisë pa Shqipërinë.

Besoj se do ta dëshmojmë se dy ta avancojmë bashkëpunimin tonë shtetëror në përmasa që i ka dëshiruar kombi ynë dhe do ta ketë rastin pikërisht me ne.

Kjo ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqë takimi sot ishte për makro shengenin shqiptar se sa për mini shengenin ballkanik”, tha Kurti.

Rama e mori fjalën menjëherë më pas duke theksuar se nuk ka makro shengen pa mini shengenin ballkanik.

“S’ka makroshengen shqiptar, pa mini shengen ballkanik. Por besoj se makroshengeni shqiptar është i lidhur gjërësisht për mini shengenin rajonal”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT