“Terapia hormonale do të sjellë pasoja të rënda”, Akil Pano ngre ALARMIN: Ky është gjenocid, do të kastrojnë fëmijët siç bëjnë me pedofilët

Vendimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë për terapinë hormonale për adoleshentët mbi moshën 13 vjeç e gjysmë ka sjellë një lum reagimesh në opinionin publik.
Pastori Akil Pano e ka cilësuar si një hap që do të sjellë pasoja shumë të rënda për shëndetin e fëmijëve.
“Kur flasim për 13+ vjeçarë, flasim për fëmijë. Një qytetar nuk merr dot patentën pa bërë 18 vjeç, pra si mund të marrë këtë vendim të pakthyeshëm dhe me pasoja të mëdha për shëndetin,” -u shpreh ai.
Akip Pano përdori një gjuhë të ashpër për udhëzuesin e terapisë hormonale duke e quajtur gjenocid.
“Ne e quajmë këtë gjenocid! Sepse janë të njëjtat procedura dhe kimikate që përdoren për kastrimin e pedofilëve pasi është marrë një vendim gjyqësor në SHBA, Kanada apo Evropën Perëndimore. Terapia hormonale është kastrim kimik për të miturit,” -denoncoi Pano.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi prioritetet e sistemit shëndetësor shqiptar, duke theksuar se buxheti duhet të orientohet drejt kategorive në nevojë. Pano solli shembuj si prindërit e fëmijëve me autizëm që nuk përballojnë dot terapitë, apo pacientët me kancer që kanë nevojë për subvencionimin e medikamenteve. Sipas tij, spitalet shqiptare vuajnë nga mungesa e bazës materiale elementare, ndërsa financimi i nismave të tilla është i pakuptimtë.