20 raste me CoVid-19 në 24 orë, Prishtina futet në karantinë

Prishtina nga sot do të jetë zonë në karantinë dhe nuk do të lejohen hyrje-daljet në kryeqytetin e Kosovës. Vendimi është marrë pas zbulimit të 20 personave të prekur nga COVID-19.
Nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, 20 persona kanë rezultuar pozitivë në Prishtinë nga 27 në të gjithë Kosovën. Pas konfirmimit të këtyre rasteve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë.
Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës. Obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Këtë vendim, Ministria e Shëndetësisë e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Një vendim të ngjashëm, po sot ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me coronavirus.
Për rastet e tjera përveç Prishtinës IKSHPK do të njoftoj sonte pas testimit të gjitha mostrave të sotme. Nesër, me datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për përhapjen e mëtejme të Covid-19 në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë bën të ditur se deri tani numërohen më shumë se 270 persona të infektuar me COVID-19, ndërsa të shtruar në spital janë 52 persona.