A e mbështet BE Mini-Shengenin? Vuçiç: Ka zëra kundër, s’më intereson

A ka ndryshuar Bashkimi Europian qëndrim për Mini-Shengenin Ballkanik, ndërkohë që Administrata Trump ka “dhënë bekimin” e saj për këtë nismë të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kreut maqedonas Zoran Zaev dhe Kryeministrit Edi Rama?
Ndërkohë që Uashingtoni ka dërguar dy zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për të marrë pjesë në samitin që mbahet sot dhe nesër në Tiranë, shefi i diplomacisë europiane ka anuluar pjesëmarrjen.
Pasuesi i Federica Mohgerinit, Joseph Borrell u raportua se do të udhëhiqte takimin e përfaqësuesve rajonalë, por në momentin e fundit ka anuluar pjesëmarrjen.
Megjithatë ai që do të ngrinte më shumë dyshime do të ishte Presidenti serb.
Ai ka pranuar në prag të nisjes për në Tiranë se ka zëra brenda Bashkimit Europian që janë kundër Mini-Shengenit Ballkanik.
Duke komentuar mospjesëmarrjen e Borell në takimin e Tiranës, Vuçiç deklaroi sipas medieve serbe se nuk i interesonte nëse Bashkimi Europian e mbështeste apo jo këtë nismë.
“Me të vërtetë nuk më intereson a u pëlqen a jo europianëve. Kur mblidhet Këshilli Europian nuk na pyesin fare a na pëlqejnë neve vendimet e tyre”, deklaroi Vuçic, duke pranuar se brenda unionin kishte edhe nga ata që janë skeptikë.
“Janë disa zëra që nuk u pëlqejnë këto nisma dhe kjo nuk është ndonjë fshehtësi e madhe”, u shpreh Presidenti serb.
Edhe pse nuk ka bërë e ditur se cilët janë këta zëra, deklarata e kreut serb ka habitur disa nga gazetarët e pranishëm, pasi shumë liderë europianë kanë mbështetur këtë nismë.