Po mbyllja e skandalit të Unazës a është KÇK, zoti Rama?

Bedri Islami
Siç dihet, Prokuroria mbylli pa zhurmë hetimin për skandalin e Unazës së Re dhe vendosi të dërgojë në gjykatë si të pandehur të vetëm Avdjol Dobin, të arratisurin me urdhër, që papritmas, një ditë, u shfaq si përfaqësues i kompanisë DH Albania.
Akuza është krejt e zakonshme, nga ato që ndodhin përditë, “falsifikim dokumentash” dhe është dorëzuar në gjykatë me 27 dhjetorin që sapo kaloi.
Historia e Unazës, në dukje e thjeshtë është njëri ndër skandalet më të paturpshëm të qeverisë Rama dhe kabinetit të tij; është, pa dyshim nga ata raste që dëshmon se shteti është bërë oligarku kryesor i përvetësimit, në marrëveshje të hapur me biznesmenë të pushtetshëm.
DH Albania ishte fituese e njërit prej loteve të tenderit të Unazës së re, përmes falsifikimit të regjistrimit në Delawere të Shteteve të Bashkuara dhe blancit tre vjeçar, por edhe fituese e një tenderi tjetër nga Operatori i Sistemit të Transmetimit – të dyja me një vlerë prej 28 milionë euro.
Aso kohe shefi i qeverisë na “ sqaroi” se skandale të tilla ndodhin në çdo vend të botës (!) duke mbyllur njërin sy.
Tani, pushteti i kapur i drejtësisë ka mbyllur edhe syrin tjetër.
28 milionë euro të qytetarëve nga më të varfërit në Europë u hodhën në një gropë, drejt së cilës ishit sulur ju, qeveritarë, oligarkë, politikanë në të dy krahët, ju që nuk u ngopët kurrë duke mashtruar , përvetësuar, rrjepur dhe duke u tallur me varfërinë, përuljen dhe militantizmin e verbër të atyre që qeverisni.
Vërtet, ju zoti Kryeministër, i kujtoni njerëzit e këtij vendi kaq leshko dhe naivë?
Mendoni se ata besojnë që gjithë ky skandal ka të bëjë vetëm me një djalë të mjerë e naiv?
Që 26 vjeçari Dobi “regjistroi” firmën ne korrik 2018 i vetëm? Që kjo “firmë” kaq shpejt u bë e njohur tek ministrat tuaj që i besuan mejëherë dy tenderë të mëdhenj? Që ky recepsionist spitali e regjistroi i vetëm në një parajsë fiskale?
Që në katër muaj, ky gjeni fiton dy tenderë, rreth 18 milionë euro për Unazën e Re dhe 10 milionë të tjerë nga OST, për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel – Peshkopi, i vetëm edhe këto?
Skandali i DH Albania, kaq i dukshëm, është një ndër çështjet korruptive të profilit të lartë në Shqipëri.
E vërteta është që përmes kësaj fantazme financiare ishte planifikuar të vidhej më lehtë, më shpengueshëm dhe pasuria të shpërndahej sipas marrëveshjeve të heshtura.
Ju z.Rama bubulloni me batuta sa herë gjykatat dhe prokuroritë këto kohë po japin vendime skandaloze në kushtet e Vetingut dhe i quani këta KÇK.
A nuk është kjo që ndodhi me këtë hetim “Kap Ça të Kapësh” , zoti kryeministër?
Përse heshtni këtë herë?
Kaq poshtë ka rënë kjo qeveri, sa e mban peng edhe një biznesmen i vetëm?
Nuk qenka KÇK ky rast kur këtë biznesmen i cili, edhe pasi vë në dispozicion të 26 vjeçarit Dobi gjithë përsonelin e tij, deri edhe adresën e re të kompanisë, nuk guxon askush ta thërrasë, ta pyesë, të ndjekë rrjedhën e ngjarjeve?
Po ju, pikërisht ju, që të fusni në burg për një lidhje të dyfishtë energjie, ç’ne kaq “i shkujdesur” për pasurinë e popullit këtë herë?
Të gjitha të dhënat e publikuara por edhe ato që duhej të zbulonte Prokuroria e Shtetit, hedhin dritë mbi lidhjet e shumëfishta mes kompanisë fantazmë DH Albania dhe kompanisë së njohur Gener 2, punonjës të së cilës kishin aplikuar për hapjen e një adrese dytësore në Unazë të re dhe verime të tjera për llogari të DH Albania.
Pas kësaj afere, kaq të rëndë, kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë strukturat e shtetit, të shkallës më të lartë, por tani, edhe Prokuroria bëhet pjesë e mbylljes së këtij skandali, duke shuar një nga shpresat e njerëzve për reformimin e saj.
Në një shtet normal, mes të akuzuarve, duhej të ishit edhe Ju, shefi i qeverisë, edhe disa nga ministrat tuaj, edhe drejtorë e shefa të ndryshëm, që tallen, përvetsojnë dhe vjedhin pasurinë e shtetit!
E keni vënë shtetin në gjunjë.
Njerëzit ikin e ikin sepse e kanë humbur shpresën e ndryshimit që premtuat.
Ikën dhe ata që u kthyen kur ju fituat zgjedhjet.
Ku vanë premtimet e prokurorisë së Tiranës për hetime të plota mbi një numur zyrtarësh të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit?
Edhe sa do të vazhdojnë këto lidhje të shehta e të hapura mes qeverive dje dhe sot dhe oligarkisë financiare?