Sulmi me vezë ndaj deputetëve, Braçe: Dhuna është krim, jo e drejtë themelore! (VIDEO)

Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas incidentit të gjuajtjes me vezë të deputetëve nga protestuesit para nisjes së seancës së sotme plenare. Në një video mesazh në rrjetet sociale, Braçe e cilëson të papranueshëm dhe jashtë çdo të drejte themelore, sulmin fizik ndaj deputetëve.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë të sulmojë fizikisht një tjetër, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të justifikohen në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Ai kritikoi edhe kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, për justifikimin sipas tij për të legjitimuar akte të tilla, duke nënvizuar se në një shtet demokratik reagimi ndaj kujtdo që gabon bëhet përmes votës dhe drejtësisë, jo përmes dhunës.
Sipas Braçes, sulmet fizike janë karakteristikë e sistemeve ku ekstremizmi i dhunshëm zëvendëson institucionet demokratike, ndërsa Shqipëria ka zgjedhur rrugën evropiane, ku dhuna konsiderohet krim dhe jo mjet politik.
Deklarata e plotë e Braçes në rrjetet sociale
TË SULMOSH TJETRIN FIZIKISHT-DHUNSHËM,
NUK HYN NË LIRITË DHE TË DREJTAT THEMELORE TË TUAT, TË NJERIUT! JOOOO!
Kemi hyrë prej ditësh në një spirale dhune, ku një grusht njerëzish mendojnë se të sulmosh fizikisht-dhunshëm tjetrin hyn në të drejtat e tyre; NUK DUHEN NDALUAR TA BËJNË, SE JU KUFIZOHET LIRIA!
Dëgjoja sot kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut ta justifikonte për të disatën herë – për herë të parë e lexova ta bënte në një grup – sulmin fizik si pjesë të lirive e të drejtave të atij që e ndërmerr dhe reagimin ligjor ndaj tij si padrejtësi.
JOOOO, NUK ËSHTË KËSHTU!
Cilido, i zakonshëm apo nën mandate kushtetuese, bën mirë ose jo, gabon, shkel ligjin apo bën faj.
Për të reaguar ndaj tij, ky sistem demokratik që kemi ka legjitimuar VOTËN politikisht dhe DREJTËSINË ligjërisht.
Kjo është bota ku jetojmë ne, në Evropë.
Sulmi fizik e i dhunshëm qëllesa me gurë e dikujt kundër një tjetri apo të tjerëve është instrument i një bote tjetër, ku ekstremizmi i dhunshëm është sistem politik, fuqi politike e pushtet politik.
Në këtë vend ka pasur luhatje të mëdha, kohë pas kohe, se cilën botë duhet të zgjedhim; jo shumë kohë më parë, tjetri, të tjerët u sulmuan dhunshëm mu në bulevard dhe U VRANË; edhe atë u justifikua si e drejtë e shtetit për të marrë jetën!
I kemi ikur asaj zgjedhjeje dhe kemi bërë mirë!
Ndaj ka shumë rëndësi që dhuna, sulmi fizik, të konsiderohen siç janë: KRIM, jo e drejtë themelore e dikujt kundër një tjetri njeri!