“Shko përfundoje shkollën njëherë”, për herë të parë në Shqipëri, 26-vjeçarja kërkon të bëhet ambasadore në Katar, Bora Muzhaqi e pyet: Do jesh me burra më të mëdhenj në tavolinë…

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, socialistët dhe demokratët i drejtuan një sërë pyetjesh kandidates 26-vjeçare për ambasadore të Shqipërisë në Katar, Jeta Krekës duke ndarë mes tyre qëndrime mbështetëse dhe kritike për këtë vendim të saj.
Një pjesë e deputetëve vlerësuan faktin që Kreka ka studiuar dhe jeton prej vitesh në Katar, duke e konsideruar këtë një avantazh për njohjen e terrenit, gjuhës dhe kulturës lokale. Të tjerë, ndërkohë ngritën pikëpyetje mbi mungesën e eksperiencës së saj në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe mbi faktin që nuk ka ndjekur një karrierë të brendshme diplomatike në Shqipëri.
Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se posti i ambasadorit nuk lidhet thjesht me formimin akademik, por mbi të gjitha me pjekurinë profesionale dhe kontributin në përfaqësimin e shtetit, duke kërkuar më shumë detaje mbi eksperiencën e saj para vitit 2019.
“Një koment personal, meqenëse kam shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë. Ambasadorët nuk zgjidhen për shkollat që kanë kryer, por për pjekurinë profesionale edhe për kontributin që kanë dhënë në përfaqësimin e shtetit, kështu që jam i bindur që duhet të fokusohemi. Po përpiqesha dhe doja t’ju pyesja, ndoshta dokumenti nuk është i plotë, por mund të më thoni se CV-ja juaj fillon në 2019. Çfarë keni bërë para 2019”, iu drejtua Hasani, Kekës, ku kjo e fundit iu përgjigj duke i thënë se ndodhej në Shqipëri dhe kohën për të cilën po diskutojnë sapo kishte përfunduar gjimnazin.
Ndëkrohë, një nga ndërhyrjet më të spikatura ishte ajo e ish-ministres së Rinisë dhe deputetes socialiste Bora Muzhaqi, e cila ngriti çështjen e sfidave që mund të hasë një vajzë e re në një shoqëri relativisht patriarkale si ajo e Katarit.
“Si një person që jam futur në politikë si vajzë e re, edhe e re edhe vajzë. Kur flasim për vende relativisht që janë patriarkale, a e keni menduar sa i vështirë do të jetë angazhimi juaj në një vend si Katari duke qenë vajzë dhe e re, dhe si do ta adresoni këtë sfidë duke u ulur në tavolina me burra në moshë më të madhe se ju? Patjetër që jemi për barazinë gjinore, por nuk mund të anashkalojmë sfidat që ne kemi”, tha Muzhaqi.
Në përgjigjet e saj, Kreka theksoi se jetesa dhe puna në Katar i kanë dhënë një kuptim më të thellë të kulturës dhe mentalitetit vendas, duke e konsideruar këtë një avantazh në ushtrimin e detyrës. Ajo u shpreh se është e vetëdijshme për moshën dhe eksperiencën e kufizuar, por beson se brezi i ri mund të sjellë energji dhe qasje të reja, në bashkëpunim me diplomatët me përvojë.
Ndërkohë, deputeti Tritan Shehu, u shpreh kundër kandidimit të saj, duke këmbëngulur se emërimi si ambasador duhet të jetë rezultat i një karriere të ndërtuar hap pas hapi brenda shërbimit diplomatik. Ai sugjeroi që Kreka të rikthehet në Shqipëri dhe ta nisë rrugëtimin në Ministrinë e Jashtme, për të fituar eksperiencën e nevojshme përpara se të marrë një post kaq të lartë përfaqësimi.
Pjesë nga biseda:
Haxhinasto: Unë vë re nga CV-ja juaj që na është paraqitur këtu se ju nuk jetoni në Shqipëri, por në Katar. Kjo është e para. E dyta, vë re që ju s’keni pasur asnjëherë marrëdhënie me Ministrinë e Punëve të Jashtme. E treta. Nëse jua kanë kërkuar të bëheni ambasadore apo keni shprehur dëshirën vetë dhe a jeni në dijeni nëse ka pasur ndonjë ambasador tjetër që ka pasur pretendime? Nëse ju e gjykoni mosprezenca në Shqipëri dhe moskontaktet me Ministrinë e Punëve të Jashtme ju kanë krijuar një vakum në dijet tuaja, në ndjeshmërinë tuaj për zhvillimet në Shqipëri dhe për funksionimin e institucioneve në Shqipëri, veçanërisht ato të Ministrisë së Jashtme? Ju në bazë të këtij mandati synoni të qëndroni në diplomaci, keni ambicie për t’u bërë diplomate dhe për të vazhduar karrierën apo e konsideroni këtë si një post, një mandat dhe pastaj do të vazhdoni me ambiciet tuaja?
Jeta Kreka: Unë kam shprehur interesin. Siç e keni parë nga CV-ja ime, kam studiuar në Shërbim të Jashtëm. Ky institucion konsiderohet si shkolla më e mirë. Kam kryer praktika të ndryshme, intershipe. Trajtimi rigoroz që kam marrë lidhet me dëshirën time për të qenë pjesë e botës diplomatike. Nuk kam qenë këtu për shkak të angazhimeve me shkollën dhe punës aty. Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe, po dëshira ime është që të mbetem në shërbim të vendit.
Igli Hasani: Një koment personal, meqenëse kam shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë. Ambasadorët nuk zgjidhen për shkollat që kanë kryer, por për pjekurinë profesionale edhe për kontributin që kanë dhënë në përfaqësimin e shtetit, kështu që jam i bindur që duhet të fokusohemi. Po përpiqesha dhe doja t’ju pyesja, ndoshta dokumenti nuk është i plotë, por mund të më thoni se CV-ja juaj fillon në 2019. Çfarë keni bërë para 2019?
Jeta Kreka: Në 2018 kam përfunduar studimet e gjimnazit te Petro Nini Luarasi dhe në 2019 kam udhëtuar drejt Katarit për të vazhduar shkollën dhe për të punuar full time.
Ervin Hoxha: Një gjuhë, kulturën e atij vendi. Dhe për mua është e rëndësishme të njohësh gjuhën e një vendi, jam përballur edhe me ambasadorë, se kam 25 vite eksperiencë në administratë dhe e di pak a shumë ciklin dhe nuk kemi qenë kaq rigorozë në vendosjen e ambasadorëve. Ne e dimë shumë mirë kush e ka përfaqësuar vendin në kohë të ndryshme. Edi Rama ka qenë në Katar, pas kryeministrit ka qenë edhe ministrja Ibrahimaj, tani unë kam një pyetje që lidhet me ju personalisht, pas këtyre vizitave që ju i keni ndjekur në distancë apo keni marrë material, me pak fjalë a mund të më thoni në cilën mënyrë kërkoni ju dhe do ta zhvilloni ju fushën e bashkëpunimit Shqipëri–Katar në nivelin strategjik?
Muzhaqi: Si një person që jam futur në politikë si vajzë e re, edhe e re edhe vajzë. Kur flasim për vende relativisht që janë patriarkale, a e keni menduar sa i vështirë do të jetë angazhimi juaj në një vend si Katari duke qenë vajzë dhe e re, dhe si do ta adresoni këtë sfidë duke u ulur në tavolina me burra në moshë më të madhe se ju? Patjetër që jemi për barazinë gjinore, por nuk mund të anashkalojmë sfidat që ne kemi.
Kreka: Në rastin tim do të cekja që avantazhi im është që kam jetuar në atë vend. Unë kam mësuar prej tyre, jam mësuar ta shoh Katarin me sy tjetër. Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe patjetër, nëse Komisioni do ta shihte të arsyeshme, do ta shihja me përulësi, pasi jam e vetëdijshme për eksperiencën dhe moshën time. Mendoj që brezi i ri ka për të përcjellë, por e ka të domosdoshëm bashkëpunimin me brezat e tjerë që janë pjesë e sistemit prej një kohe të gjatë. Mendoj që eksperienca në atë vend, njohja e gjuhës dhe të jetuarit atje heqin disa barriera që, duke ardhur nga jashtë, janë më të vështira, por njëkohësisht paraqesin një sfidë shumë interesante lidhur me moshën dhe të qënurit e një 26-vjeçareje në mesin e burrave dhe grave me më shumë eksperiencë.