Ekspertët: Kriza politike në Kosovë po dëmton reformat

Ende pa u formuar qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, në Kosovë po flitet menjëherë për çështjen e Presidentit. Ekspertët thonë se ka ardhur koha që si partia që ka fituar zgjedhjet, por edhe ato që mbetën në opozitë, të dalin nga ngërçi politik pas 3 palë zgjedhjesh.
“Tash kemi ardhur prapë në të njëjtën pikë ku pushteti e ka fokusuar krejt debatin veç te një pikë, te presidenti, që për mua është qasje e gabueshme edhe e partisë në pushtet, por qasje edhe më e gabueshme e partive opozitare, sepse ato duhet ta kenë transparencën si pikë të fuqisë së demokracisë”, thotë Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
“Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të njëjtën logjikë dhe të njëjtën, ndoshta, rrugë çfarë e ka pasur pas zgjedhjeve të kaluara kur nuk u zgjodh presidenti i vendit”, shprehet Afërdita Maliqi, analiste politike.
Për ekspertët, nga kjo situatë konflikti Kosova po mbetet prapa me reformat e kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë.
“Mosekzistenca e funksioneve legjitime e largon Kosovën edhe nga anëtarësimi në NATO, edhe në BE, por edhe në çdo zhvillim të mëtejmë të shoqërisë”, shprehet Arifi.
Kosova mbajti zgjedhjet e treta radhazi më 7 qershor për shkak të mungesës së kompromisit për zgjedhjen e Presidentit, që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend.