Është shkruar në 1921, por duket sikur flet për Shqipërinë sot
Në numrin e qershorit të vitit 1921, revista “Agimi” e Shkodrës ka publikuar një analizë të situatës së vendit, që kishte pak vite që kishte dalë nga Lufta e Parë Botërore e përballej me vështirësi të shumta ekonomike.
Analiza, e shkruar në gegnisht e me stil të veçantë, përmban inicialet X.X dhe ka një këndvështrim interesant të vlerësimit të situatës ekonomike duke nisur nga analizimi i gjërave që përmbante shtëpia e shqiptarit.
Autori e vë theksin në mungesën e prodhimit në vend, nivelin e lartë të importeve, mungesën e politikave qeveritare, “përtacinë” e shqiptarëve e shpenzimet e panevojshme.
“Tue ndëjë në pushim në nji skaj t’odës së bukës, më shkojnë syt ndër sendet e orendit që e stolisin kët odë, e prej tyne mundem me marrë vesht gjendjen ekonomike të vëndit t’ëm pa pas nevojë me shfletue libra e me ba studime. Kandili i vjerrun në mjedis t’odës na ka ardhun prej s’jashtmit, ashtu edhe mbloja e tryezës e orishtra e murit nuk janë prodhimi i vendit. Prej s’jashtmit janë koltrinat e dritoreve, karrigat t’i rrijmë e gotat qi pijmë. Punë vëndi vetëm ndonji tryezë, ndonji mësallë a ndonji pashnik kjoftë, pse përore edhe këto janë të bleme kund jashta Shqypnie” nis analiza e publikuar nga Scan.
Autori del “jashtë odës” dhe evidenton faktin se një situatë e tillë është jo vetëm në shtëpi por edhe në kafene, xhami apo kisha ku sendet janë të importuara nga jashtë. E kjo, është dëshmi e mjerimit ekonomik të vendit që nuk prodhon por vetëm shpenzon.
“Po pse të kërkojmë kaq larg? Të shikjojmë rreth trupit t’onë e kemi me pa se prej mbajës së kres e deri në fund të kambvet nuk kemi tjetër veç sende t’importueme a prej italije, a prej Austrije a edhe prej vëndeve ma të largta. Këto janë fakta qi të dhemb zëmra t’i përshkruejsh, por së vërtetës nuk mund t’i kundërshtohet” vijon analiza.
Më tej, autori analizon sjelljen e shqiptarëve kundrejt fitimeve, shpenzimeve e punës duke kritikuar disa sjellje që sipas tij janë negative e “zakone të një populli të vjetër në një botë të re”.
“A nuk do t’ishte nji punë shum ma e mirë atë shumë të hollash qi japim ndër kafe, lojna, ndër pije e ragtime të tepërme t’a përdorojshim për nji qellim të dobishëm e të nevojshëm? Shka bajnë katundarët t’onë ndër ditë shiu e ndër net të gjata e të mërzitshme të dimnit? Fort pak janë ata qi e përdorojnë kët kohë për me ndreqë veglat e tynë bulqsore primitive pse përgjithsisht puna e këtyne lloj ditve e netve asht me u shtri rreth votre, me kallxue përralla të kota e me ba ndonji plan cubnije, vrasje a grabitje!
Të mendojmë se sa punë kishte me u bap o t’u përdoronte kjo kohë si duhet e sa fitimin kishim me e pasë! Me nji fjalë na prishim shum e prodhojmë pak e nuk mendojmë asfare se këso dore jemi tue shkue drejt vorrit. Nuk interesohemi për pikën gjallnore t’onën e rrijmë me gojë hapët e me duer kryq thue se buka do të na vijë prej qielli; thue se shteti mbahet me andra, me pralla, me rrnoftë e kjoftë e me ngatrresa qi mbjellim përditë në mjes t’onë” vijon analiza.
Në fund autori, evidenton nevojën e ngritjes së një ekipi njerëzisht inteligjentë e me zemër të mirë, “ushtri mësuesish me vullnet të fortë”./ZgjohuShqiptar.info