“Atë protestë e ushqejnë shumë rrëke dhe lumenj të vegjël”, Arjan Curri për investimin në Zvërnec: Do të ndërtohet, po i themi lekut nuk e duam

Analisti Arjan Curri ka folur sërish mbrëmjen e sotme lidhur me protestat që prej 30 ditësh po zhvillohen para Kryeministrisë kundër projektit turistik që pritet të ndërtohet në Zvërnec nga familja Trump si dhe kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Curri u shpreh se protesta nuk përfaqëson një kauzë të vetme, por sipas tij ushqehet nga interesa të ndryshme politike, ekonomike dhe lokale.
Sipas Currit, kundërshtimi ndaj investimit nuk do ta ndalë realizimin e projektit, por në rastin më të mirë mund të ndikojë vetëm në shtyrjen e tij. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për zhvillim dhe investime të mëdha, duke shtuar se nuk mund të kërkohet rritje ekonomike dhe njëkohësisht të refuzohen projekte të këtij niveli.
“Ka njerëz që e duan rendin natyror plotësisht. Është luftë për lekun. Në Amerikë familjet presidenciale bëjnë biznes me kompani të mëdha. Siç e bëri Hunter Biden tani po e bën familja Trump.
Atë protestë e ushqejnë shumë rrëke dhe lumenj të vegjël. Ka një legjendë, që Ivanka mund të jetë kandidate pas Trumpit dhe tani demokratët amerikanë janë angazhuar. E njëjta gjë ndodh dhe këtu, fshatari x thotë pse t’i marrë lekët fshatari ypsilon. Partia x thotë pse ta bëjë partia ypsilon. Oligarku x thotë pse ta bëjë oligarku ypsilon, pra është luftë për para. Është e gjitha si në makro si në mikro një luftë interesi. Pse të shkojë turisti të lahet te flamingot dhe mos të lahet te resorti x.
E vetmja gjë që mund të arrijnë shqiptarët aty në protestë, është që ta shtyjnë atë projekt, se që do të bëhet do të bëhet, maksimumi mund të ndërrojnë duart e atij që do ta bëjnë. Ne po na vjen leku dhe themi ne s’i duam lekët”, u shpreh Curri.