“Kosovaret” ndihen te indinjuar pse perfaqesohen me flamurin Kuq e Zi
Prezenca e kryeministrit dhe presidentes së Kosovës në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike “Londra 2012”, ka zgjuar reagime të ndryshme tek dashamirët e sportit kosovar. Sportistët janë shprehur të indinjuar për faktin se u është mohuar pjesëmarrja në këto lojëra, ndërkaq analistë politikë thonë se presidentja dhe kryeministri duhet të organizojnë një konferencë në Londër dhe t’i drejtohen opinionit sportiv ndërkombëtar me kërkesën që të eliminohet diskriminimi i sportit kosovar.
Në Lojërat Olimpike që do të nisin sonte në Londër Kosovën nuk do ta përfaqësojë asnjë sportist kosovar. Në fakt xhudistja e mirënjohur Majlinda Kelmendi, e cila vjen nga Peja do të garojë në këto lojëra, por në petkun kuqezi të shtetit Shqiptar.
Ismajl Kasumi, profesor i Edukatës Fizike dhe njëherësh drejtor i Shtëpisë së Sportit, pjesëmarrjen e kryemistrit Hashim Thaçi dhe presidentes Atifete Jahaga në hapjen e Lojërave Olimpike e sheh të paarsyeshme dhe të dëmshme. Kosumi ka deklaruar për Kosovapress se kryeministri, por edhe presidentja do duhej ta bojkotonin ftesën e organizatorit në shenjë pakënaqësie për mohimin e të drejtës së sportistëve kosovarë që të jenë pjesëmarrës në këto lojëra.
“Për mua, si një profesor i Kulturës Fizike një njeri që ia kam kushtuar tanë jetën sportit, është një gabim trashanik i presidentes dhe kryeministrit të cilët sot gjenden në Londër dhe presin hapjen e Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’. Kur dihet sa e sa sportistë kosovarë janë refuzuar dhe komplet sporti kosovar e vetmja është një Majlinda Kelmendi e cila prezanton shtetin shqiptar, nuk ka drejt ta ngrit flamurin tonë. Unë nuk e di në cilësinë e kujt kanë shkuar, si vizitor apo si shikues. Edhe presidentja edhe kryeministri kishte qenë mirë ta bojkotonin këtë ftesë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, analisti politik, Behlul Beqaj, që më parë kishte ushtruar detyrën e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, por një kohë ishte edhe nën-kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, pjesëmarrjen e Thaçit dhe Jahjagës në hapjen e Lojërave Olimpike e sheh si hap pozitiv për Kosovën.
Beqaj, ka thënë se kryeministri Thaçi dhe presidentja Jahjaga duhet të gjejnë mënyrën dhe t’i drejtohen komunitetit sportiv mbarëkombëtar dhe të kërkojnë nga të gjithë ndaljen e diskriminimit të sportit kosovar.
“Besoj se kryetarja dhe kryeministri kanë mjaftë arsye t’i falënderohet organizatorit për ftesën e bërë. Ky është një respekt edhe karshi shtetit të ri të Kosovës. Po të njëjtit pra, kryetarja dhe kryeministri do të ishte shumë e arsyeshme pavarësisht nga protokollet që në një konferencë të veçantë t’i drejtohen opinionit sportiv me kërkesën që të eliminohet diskriminimi i sportit kosovar. Pra, unë mendoj se kjo do të ishte një shtytje një motiv që gjithë ata të cilët deri me tani kanë fol se sporti s’duhet të përzihet në politikë ta rishikojnë veten në pasqyrë dhe të kuptojnë se nuk është e drejtë që për 20 vjet sportistët kosovarë të përjashtohen nga garat ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Beqaj më tej ka shtuar se pengesat për pranimin e sporti kosovar në arenën ndërkombëtare janë të shumta, porse ato, sipas tij, nuk janë të natyrës sportive. Ai mendon se ndikimi i politikës në sport ka bërë që Kosova të mbetët ende e izoluar.
“Sa i përket aspektit statutar mendoj se ka pengesa serioze por ato pengesa nuk janë të natyrës sportive, ato janë të natyrës politike dhe ata që deri më sot kanë thënë se gjoja se politika s’duhet të përzihet në sport më së shumti i kanë futur duart në sport dhe kjo është dëm për sportistët dhe sportin dhe për perspektiven e raporteve ndër njerëzore që përmes sportit. Prandaj do të ishte mirë që edhe ata që kanë bërë këto veprime të largohen dhe definitivisht sportin le t’ia dorëzojnë sportistëve”, ka thënë ai.
Të rikujtojmë që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeminsitri Hashim Thaçi do të jenë prezentë në mbrëmjen e sotme ku në ora 20:00, në stadiumin e Stratfordit, do të hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike “Londër 2012”. 205 shtete do të parakalojnë në stadium me flamurët e tyre, mes të cilëve edhe delegacioni nga Shqipëria, por jo edhe ai nga Kosova, i cili do të qëndrojë atje vetëm në cilësinë e shikuesit.
Lojërat Olimpike do të hapen nga Mbretëresha Elizabeth II, ndërsa ceremonia madhështore do të drejtohet nga Danny Boyle. Ceremonia e hapjes pritet të ndiqet nga më shumë se një miliard telespektatorë.
Elizabeth II dhe Usain Bolt, mbretëresha e kapeleve dhe shkëlqimi i Kingstonit ”do të luajnë” rolet kryesore në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, ndërkohë që flaka olimpike do të mbahet e ndezur në stadiumin e Stratford për 17 ditë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.