Deputeti socialist shpërthen ndaj Greqisë: Shtet racist, ne kemi dhjetra flamuj grekë në Shqipëri dhe s’i heqim
Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panajotis Kamenos reagoi ashpër në lidhje me çështjen e disa ushtarëve me origjinë shqiptare, të cilët bënë simbolin e shqiponjës.
Kamenos paralajmëroi se do ketë një hetim dhe ndëshkim të ashpër ligjor, që parashikon burg deri në pesë vite.
“Ngjarje të tilla nuk do tolerohen në Forcat e Armatosura,” tha Kamenos.
“Kush nuk ndjehet grek, të shkojë në atdheun e tij,” tha Kamenos.
Ai shtoi se ka një plan të gjerë për të ngjallur nacionalizmin shqiptar, duke theksuar se pjesë e këtij plani janë edhe deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për çamët.
Kamenos tha se do ketë dënime më të rënda për rekrutët që shfaqin të tilla sjellje.
Ministri u ankua se shumë shqiptarë kanë marrë masivisht nënshtetësinë greke, pa iu nënshtruar kontrolleve efektive.
Sipas tij, kjo është bërë për qëllime elektorale.
Por ndaj tij ka reaguar deputeti socialist, Piro Lutaj.
“Është e disata herë radhazi, që shteti racist grek ndërmerr masa të tilla ekstreme ndaj shtetasve të vet, duke mos iu respektuar liritë themelore të parashikuara jo vetëm në konventat europiane e ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin e brendshëm të tyre.
Bërja e simbolit të shqiponjës nga rekrutët me origjinë shqiptare, nuk kishte asnje arsye qe të konsiderohej e rrezikshme nga autoritetet greke te Ministrisë së Mbrojtjes.
Është njëlloj sikur autoritetet shqiptare të merrnin masa ndaj dhjetëra flamujve grekë, të cilët janë vendosur kudo nëpër banesa të shtetasve shqiptarë, kryesisht në jug të vendit.
Megjithatë ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu anëtar i NATO-s.
E kuptoj pozitën e vështirë politike të Panos Kamenos, i cili ndodhet në pikiatë elektorale, por kjo nuk e motivon atë në përdorimin e gjesteve të tillë në dëm të reciprocitetit mes dy fqinjve për të realizuar qëllimet e tij personale. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike me qeverinë greke të këtij problemi, dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen”, shprehet deputeti socialist.