Agimi i Artë hap degë në Sarandë: Zemra greke do rrahë në gjithë jugun
Njoftohet se partia neonaziste greke Agimi i Artë ka hapur degën e saj në Sarandë.
Përfaqësuesit e kësaj dege, më 30 janar të këtij viti, kanë hapur në Facebook një profil me emrin “Agimi i Artë, Sarandë”.
Faqja është e mbushur me simbole të Agimit të Artë dhe Vorioepirit, me foto figurash politike, historike etj. Çdo postim në faqen e internetit bëhet në gjuhën greke. Aty njoftohet hapja e degës në Sarandë dhe paralajmërohet përhapja e kësaj partie edhe në zona të tjera të jugut të Shqipërisë. “Zemra greke do rrahë në zyrat tona të reja në Sarandë, dhe së shpejti në Himarë, Delvinë, Tepelenë dhe Gjirokastër. E dimë se kjo rrugë është e vështirë dhe e mbushur me rreziqe, por nuk frikësohemi, sepse kemi mësuar që për lirinë të japim edhe jetën”, thuhet në një nga postimet në faqe.
Kohë më parë Agimi i Artë njoftoi në faqen e tij zyrtare, se do të hapë degët e tij në jugun e Shqipërisë, por për hapjen e degës së tij në Sarandë, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga qendra e partisë.
Partia neonaziste Agimi i Artë, me një mbështetje gjithnjë në rritje në Greqi deri në 9.7%, shquhet për retorikën e saj të ashpër për të huajt dhe emigrantët shqiptarë në veçanti, por edhe për qëndrimet e saj mbi të ashtuquajturin Vorioepir dhe historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.
Dy ditë më parë komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks deklaroi se do të kërkohet nxjerrja jashtë ligjit e kësaj partie, që rrezikon imazhin e një demokracie si Greqia. “Këshilli i Evropës do të mendojë t’i ndalojë asaj përfaqësimin në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.