GJKKO dënon me 17 vite burg Islam Sefën, kush është “koka” e grupit kriminal shqiptaro-gjerman që trafikoi drogë me vlerë 3.3 mln euro

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 17 vite burg Islam Sefën, “kokën” e grupit kriminal shqiptaro-gjerman.
I njohur me poseudonimin “Xaka” pas gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3, pra 11 vite e 4 muaj burg pasi ai u shpall fajtor për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët: Erjon Çela, Erjon Bani dhe Bib Ndreca.
Sipas dosjes gjyqësore, Sefa rezulton i përfshirë në nëntë episode të trafikimit të drogës, të ndodhura gjatë viteve 2020–2021, ndërsa ka pasur edhe rol drejtues brenda grupit kriminal që operonte në territorin shqiptar dhe jashtë tij.
Sefa do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, duke nisur nga momenti i arrestimit të tij.
Kujtojmë që Islam Sefa alias Xaka, u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financuesi i trafikut të drogës në Gjermani me vlerën e 3.3 mln eurove.
Kjo u bë e ditur nga vetë Prokuroria e Posaçme, pas një hetimi të përbashkët me autoritetet gjermane lidhur me një grup kriminal shqiptaro – gjerman që merrej me trafik droge.
Sipas SPAK, grupi kriminal gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuana.