Gjyqtarja britanike refuzon kërkesën e “Fanes” për azil: Meqë nuk ju vranë në atentatin e parë, nuk ju vrasin më! Biznesmeni nga Poshnja e Beratit ka edhe një shans për të ndalur ekstradimin

Biznesmeni Irfan Azizi nga fshati Poshnje e Beratit duhet të ekstradohet! Kështu ka vendosur një gjyqtare britanike, duke rrëzuar kërkesën e “Fanes” për të marrë azil në Britaninë e Madhe, nën pretendimin se i rrezikohet jeta në Shqipëri.

Gjyqtarja Annabel Pilling e ka konsideruar të papranueshëm faktin që Irfan Azizi ka deklaruar para gjykatës britanike, kur u shpreh dy javë më parë se ai kishte paguar 5.000 euro për të mbyllur një çështje gjyqësore në Shqipëri.

“Unë nuk konsideroj se mund të arrij në përfundimin se ndikimi mbi familjen tejkalon detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe respektin që duhet t’i tregohet dënimit të ligjshëm dhe vendimit të ligjshëm të shqiptuar nga një gjykatë në një shtet tjetër.

Duke peshuar interesin e lartë publik që Mbretëria e Bashkuar të respektojë detyrimet e saj dhe kërkesën e bërë nga Irfan Azizi, si dhe faktin që ai  korruptoi një gjyqtar me shpresën për ta mbyllur çështjen, kundrejt ndikimit mbi familjen e tij  dhe jetën e tyre familjare, balanca anon qartë në favor të ekstradimit”, thuhet në vendimin e siguruar nga gazetari Top Channel, Muhamed Veliu.

Gjyqtarja britanike, me aq sa fragmente sa janë zbardhur nga vendimi, nuk ka marrë parasysh faktin se Irfan Azizi ka qenë më parë shënjestër e një atentati në Shqipëri dhe ka mbetur i plagosur nga breshëria e plumbave, si dhe pretendimet e tij se nëse ekstradohet mund të eleminohet.

Sipas një arsyetimi gati-gati absurd të gjyqtares Annabel Pilling, meqë biznesmeni nga fshati Poshnje e Beratit nuk mbeti viktimë në atentatin e parë, në nëntor 2020, nuk ka rrezik që kjo të ndodhë sërish.

“Kam arritur në përfundimin se edhe nëse ka pasur një tentativë ndaj jetës të Irfan Azizit në nëntor 2020, e cila mund të mos jetë hetuar plotësisht nga policia në Shqipëri, ai  e ka ekzagjeruar nivelin e kërcënimit me të cilin është përballur atëherë dhe që përballet tani. Nuk e besoj deklarimin e tij se ai kishte frikë për sigurinë e partneres dhe fëmijëve të tij.

Ata jo vetëm që kanë mundur të qëndrojnë të sigurt në Shqipëri pa të, por kanë qenë gjithashtu në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar për t’iu bashkuar atij pa u bërë asnjë kërcënim. Pretendimi se policia i kishte thënë të “ikte” ishte një shtesë e vonshme në rrëfimin e tij për atë që kishte ndodhur, në përpjekje për të forcuar provat mbi çdo kërcënim që ai pretendon se ka përballur në Shqipëri”, thuhet më tej në arsyetimin e gjykatës së ekstradimeve City of Westminster Magistrate Court të Londrës.

Megjithatë, ky vendim nuk është përfundimtar sepse Irfan Azizi ka 14 ditë kohë të ushtrojë të drejtën e apelimit të vendimit në një gjykatë më të lartë dhe më pas, do të jetë Sekretarja e Brendshme (Ministrja e Brendshme), ajo që do të marrë kërkesën dhe pasi të analizojë dosjen, do të vendosë nëse biznesmeni do të ekstradohet apo jo në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT