Bie fasada e “Durrës Yacht Marina”! Godinat e ngritura po fundosen, çmimet dyfishohen, kompania fiton por kostot e reja në kurriz të blerësve (REAGIMI I PLOTË)

Gazetarja e njohur e ekonomisë, Ola Xama ka reaguar sërish për propagandën e fsheshur pas ndërtimit të “Durrës Yacht Marina” për të cilën bën me dije se fasada për të mirat që ajo do i ofronte qytetit bregdetar, tashmë ka rënë e gjitha.
Në një postim të bërë në faqen e saj zyrtare të Facebook, Xama shkruan se ndryshe nga seç u prezantua në fillim se Durrës Yacht Marina do transformonte qytetin bregdetar në epiqendrën e turzimit të jahteve në Europë, projekti i cili u tha se do të realizohej nga kompania private e familjes së Mohamed Alabbar, është zëvendësuar nga ndërtimi i pallateve dhe hoteleve disakatëshe, të cilat rrezikojnë prishjen. Gazetarja bën me dije se projektimi po realizohet nga një kompani shqiptare.
“Pasi propaganda se paratë që do të financonin Durrës Marina ishin investime të huaja ra, në publik u shit fabula se projekti do të ishte ndër më të mirët sa i takon punimeve inxhinierike dhe arkitekturës, pasi vinte të ndërtonte firma e një prej drejtuesve të Emaar Group, kompani që kishte ndërtuar Burj Kalifa, Marina Dubai, Dubai Mall etj. Tashmë dhe kjo fasadë ra. Projektimi është bërë nga kompani shqiptare dhe ndërtimin po e bëjnë po ato. Nga 5 godina që po ngrihen, dy janë fundosur me disa centimetra dhe rrezikojnë prishjen” shkruan gazetarja në reagimin e saj.
Më tej, gazetarja nënvizon se se vlera e punimeve për vitin 2023 dhe 2024 është 41 milion euro, nga të cilat investimi i kompanisë Eagle Hills është 7.4 milion euro. Ndërsa thuhet se shumica e punimeve janë financuar me paratë e kontratave të shitjes përmes të cilave janë mbledhur 36 milion euro.
Mbrojtja e blerësve të apartamentëve dhe jo vetëm është zero, madje ju kushton shqiptarëve miliona euro, pasi po prishet një pasuri që vlen qindra milion euro siç është Porti i Durrësit që është financuar me paratë e vendasve, një kosto që kap shifrën 390 milion euro. Dhe e gjitha kjo po ndodh për t’i hapur rrugë realizimit të projektit nga Dubai.
“Mbrojtja për konsumatorin është zero: ai jep paratë e financimit, merr përsipër çdo risk – ndërsa investitori që ka siguruar lejen e ndërtimit vjel fitimin! Por përveç kësaj, shifrat tregojnë se historia e projektit Durrës Marina nxjerr të humbur jo vetëm ata që kanë blerë apartamente, por të gjithë qytetarët shqiptarë.
Po prishet një pasuri që vlen qindra milion euro siç është Porti i Durrësit, me paratë e taksave të shqiptarëve po financohet një projekt tjetër që kushton 390 milion euro vetëm për Fazën e Parë, që t’i hapim rrugën investimit 13.3 milion euro (bashkë me kapitalin që ka shtuar në 2025-n) të kompanisë nga Dubai, Eagle Hills Real Estate” shton më tej Xama.
Në përmbyllje të reagimit të saj, edhe pse ndërtesat në fjalë rrezikojnë prishjen gazetarja nxjerr në pah se çmimi i apartamenteve pas përfundimit total të projektit pritet të rritet me dyfish, nga çmimi fillestar afro 1500 euro/m2, Xama shkruan se pas 20 vitesh blerësi duhet të paguajë 2185 euro/m2.
“Pas 20 vitesh, kur planfikohet të përfundojë projekti, çmimi i shitjes arrin në 2185 euro/m2. Kjo është vlera që vetë kompania beson se do të kushtojnë njësitë në atë projekt. Nëse dikush vendos që të blejë një banesë 100 m2 në vitin e parë me çmim 1500 euro/m2 do të paguajë 150 mijë euro.
Nëse e shet këtë njësi pas 20 vitesh, sipas çmimeve të vlerësuara nga kompania, do ta shesë me 2185 euro/m2 dhe do të marrë 218.500 euro. Në fund fiton 68.500 euro. E njëjta shumë po të investohej në obligacione të cilat sot kanë një normë interesi 4.72%, do të shkonte në fund të periudhës 20 vjeçare 291.600 euro. Fitimi neto do të ishte 141.600 euro, dy herë më e lartë se investimi në blerjen e apartamentit” përmbyll reagimin e saj Ola Xama.
Reagimi i plotë i gazetares Ola Xama:
Durrës Yacht Marina u prezantua fillimisht si një nga investimet më të mëdha të huaja që do të realizoheshin në Shqipëri dhe se do të transformonte qytetin e Durrësit në epiqendër të turizimit të jahteve në Europë.
Kur kontrata me kompaninë private të familjes së Mohamed Alabbar u miratua në Kuvend, u kuptua qartë se ajo që ishte thënë nuk kishte lidhje me projektin që miratohej. Më shumë se sa marinë turistike (që planfikohet të ndërtohet në fund), portin më të rëndësishëm tregtar të vendit do e zëvendësonte një projekt masiv ndërtimi me pallate dhe hotele. Me një ndryshim: financimi nuk do të ishte i kompanisë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, por i blerësve.
Në planin e biznesit, kompania merrte përsipër të investonte vetëm 6.8% të projektit (3.4% kredi nga banka) dhe pjesa dërrmuese e parave do të sigurohej nga lidhja e kontratave të parashitjes. Toka ku ndërtohej dhe taksa në infrastrukturë ishin kontribut i shtetit shqiptar që ka 33% në kompaninë Durrës Marina. Në fund, pasi investonte 80 milion euro para të saj, Eagle Hills Real Estate Development planfikonte të fitonte 572 milion euro, me një normë kthimi investimi 615%!
Pasi propaganda se paratë që do të financonin Durrës Marina ishin investime të huaja ra, në publik u shit fabula se projekti do të ishte ndër më të mirët sa i takon punimeve inxhinierike dhe arkitekturës, pasi vinte të ndërtonte firma e një prej drejtuesve të Emaar Group, kompani që kishte ndërtuar Burj Kalifa, Marina Dubai, Dubai Mall etj.
Tashmë dhe kjo fasadë ra. Projektimi është bërë nga kompani shqiptare dhe ndërtimin po e bëjnë po ato. Nga 5 godina që po ngrihen, dy janë fundosur me disa centimetra dhe rrezikojnë prishjen.
Nëse sheh bilancet e kompanisë Durrës Marina, mund të konstatosh shumë lehtë se vlera e punimeve për vitin 2023 dhe 2024 është 41 milion euro, nga të cilat investimi i kompanisë Eagle Hills është 7.4 milion euro. Shumica e punimeve janë financuar me paratë e kontratave të shitjes përmes të cilave janë mbledhur 36 milion euro. Me këtë që ka ndodhur, investitori ka luajtuar bixhoz me lekët e klientëve (pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë)!
Ky rrezik ka ardhur për shkak të modelit të financimit që kanë miratuar në kontratën e projektit deputetët e Kuvendit dhe që ndodh si fenomen në të gjithë tregun e ndërtimit në Shqipëri. Mbrojtja për konsumatorin është zero: ai jep paratë e financimit, merr përsipër çdo risk – ndërsa investitori që ka siguruar lejen e ndërtimit vjel fitimin!
Por përveç kësaj, shifrat tregojnë se historia e projektit Durrës Marina nxjerr të humbur jo vetëm ata që kanë blerë apartamente, por të gjithë qytetarët shqiptarë. Po prishet një pasuri që vlen qindra milion euro siç është Porti i Durrësit, me paratë e taksave të shqiptarëve po financohet një projekt tjetër që kushton 390 milion euro vetëm për Fazën e Parë, që t’i hapim rrugën investimit 13.3 milion euro (bashkë me kapitalin që ka shtuar në 2025-n) të kompanisë nga Dubai, Eagle Hills Real Estate!
Dhe një ushtrim aritmetik për Durrës Marina:
Po të shohësh planin e biznesit që vetë kompania investitore (Eagle Hills Real Estate Development) ka dorëzuar pranë autoriteteve të shqiptare, sheh që çmimi i shitjeve të apartamenteve në vitin e parë është 1500 euro/m2. Pas 20 vitesh, kur planfikohet të përfundojë projekti, çmimi i shitjes arrin në 2185 euro/m2.
Kjo është vlera që vetë kompania beson se do të kushtojnë njësitë në atë projekt.
Nëse dikush vendos që të blejë një banesë 100 m2 në vitin e parë me çmim 1500 euro/m2 do të paguajë 150 mijë euro. Nëse e shet këtë njësi pas 20 vitesh, sipas çmimeve të vlerësuara nga kompania, do ta shesë me 2185 euro/m2 dhe do të marrë 218.500 euro. Në fund fiton 68.500 euro.
E njëjta shumë po të investohej në obligacione të cilat sot kanë një normë interesi 4.72%, do të shkonte në fund të periudhës 20 vjeçare 291.600 euro. Fitimi neto do të ishte 141.600 euro, dy herë më e lartë se investimi në blerjen e apartamentit.
Pyetja që shtrohet është kjo:
Kush ka interes që të zgjedhë blerjen e një apartmenti te një projekt me risk të lartë, që nuk dihet kur përfundon dhe që mund të shfaqë probleme teknike, kur ka derën e bankës më afër e cila të jep mundësi fitimi 2 herë më shumë?
Personalisht nuk do ta zgjidhja këtë investim. Do ta zgjidhja vetëm nëse do të kisha para të pista, që nuk i çoja dot në bankë, por mund të bëja transferta nga Dubai, me një kompani me bazë aty që operon në Shqipëri!