Legalizimet mbyllen në 2028! Përgjigja për procesin, brenda 30 ditëve! Shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Pronave, ndryshime rrënjësore në procedura

Ndryshojnë rrënjësisht procedurat dhe ligjet për pronësinë dhe legalizimet.
Qeveria ka propozuar një paketë të re ligjore për sistemin e pronave në Shqipëri duke synuar të ulë burokracitë të reduktojnë vonesat dhe të rris kontrollin mbi dokumentet e pronësisë.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme ligjore që është nxjerrë për konsultim publik, lidhet direkt me procesin e legalizimeve.
Për të zgjidhur sa më shpejt këtë problematikë duke e përmbyllur procesin e regjistrimit të objekteve pa leje në draft parashikohet që të përshpejtohen procedurat dhe vendimi të merret brenda 30 ditëve, kundrejt pagesës së një tarife shtesë.
Të gjitha këto ndryshime janë bërë me synimin që procesi i legalizimeve në Shqipëri të mbyllet plotësisht deri në vitin 2028.
Ndërkohë që në draft përcaktohet edhe një procedurë më e detajuar për kalimin të tokës bujqësore në pronësi të poseduesve.
Pasi të hartohen listat e përdoruesve për çdo ish-kooperativë apo ish-ndërmarrje bujqësore do t’i dërgohen për miratim këshillit bashkiak duke përmbyllur procesin e regjistrimit.
Qeveria parashikon ndër të tjera edhe një riorganizim të institucioneve që merret me pronat. Në draft parashikohet të ngrihet Agjencia Shtetërore e Pronës që do të krijohet nga bashkimi dhe riorganizimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
ASHP do të ketë përgjegjësi për regjistrimin e pronave, kadastrën, administrimin e pronave shtetërore dhe kompensimin e ish-pronarëve.
Agjencia do të drejtohet nga një Këshill Drejtues me 9 anëtarë dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i cili do të emërohet nga Kryeministri.