Izolim i plotë/ Blindat në terren, urdhër special për forcat e Policisë dhe Ushtrisë (FOTO)

Duke filluar nga ora 13.00 e së shtunës e deri të hënën në orën 05.00 të mëngjesit, në Shqipëri nuk duhet të jetë në rrugës askush. Madje, nëse do përdorim metaforë, në qarkullim janë vetëm mizat. Policia, ka njoftuar ndalimin e qarkullimit për të gjithë qytetarët dhe automjetet, prej orës 13:00 të datës 21.03.2020 deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020.
Vetë Rama njoftoi se e njëjta fashë orare do të jetë edhe gjatë ditëve të javës së ardhshme, sepse, sipas tij disa të pabindur po bëjnë hatanë.
Por gazeta Shqip mëson se është firmosur edhe një urdhër special për të përdorur forcën ndaj atyree që nuk zbatojnë oraret, por dalin në rrugë.
Sipas burimeve, ky urdhër është dërguar për policitë e qarqeve dhe të gjitha komisariatet e vendit për të mos toleruar askënd, jo vetëm në grumbullime, por edhe nëse kapet krejt i vetëm në rrugë pas orës 13.00 të çdo dite. Gjithashtu bëhet e ditur se ka një gjendje gatishmërie të Policisë dhe ushtrisë, e cila, sipas bazës së tyre ligjore përkthehet në gatishmërinë ekstreme.
Të vetmit që shpëtojnë nga shtetrrethimi që nis gjithmonë pas orës 13.00 janë mjetet e transportit të mallrave dhe produkteve ushqimore vetëm për të furnizuar marketet dhe minimarketet, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Policitë private, Policia e Burgjeve, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike, si dhe ata të përfshirë në listat e bashkive për shërbime të ndryshme dhe shërbimet në banesë”.
Fotot që shoqërojnë këtë shkrim tregojnë se çfarë po ndodh në Tiranë, pas orës 13.00 dhe sesi njerëzit janë futur nëpër shtëpi.