Placido në Fier: Kam gjak shqiptar
Aktori, i pranishëm në festivalin e filmit, rrëfen origjinën arbëreshe të gjyshes
Edmond Hoxhaj
Festivali Ndërkombëtar i Filmit me Metrazh të Shkurtër ka sjellë dje në Fier aktorin e njohur italian, Michele Placido, i cili për shqiptarët dhe në vende të tjera u bë i famshëm në rolin e komisar Katanit në filmin “Oktapodi”. Aktori 67-vjeçar është pritur me respekt e nderime nga drejtuesit e Bashkisë Fier dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë eveniment që do të zgjasë për disa ditë. Që në momentet e para të prezantimit, Placido ka theksuar faktin se në trupin e tij rrjedh gjak shqiptar dhe se ishte një kënaqësi e veçantë që shkelte tokën e Arbërisë. “Unë e dua tokën cilado qoftë ajo, kudo që më shkel këmba, për mua nuk ka dallim, si në Itali, në Francë, Shqipëri apo diku tjetër. Kudo që shkel ndihem si në tokën time. Në vendin ku jam rritur kemi pasur miqësi me shumë shqiptarë të Italisë, madje gjyshja ime ka një linjë prejardhjeje me gjak shqiptari”, ka theksuar ndër të tjera aktori i njohur italian, Michele Placido. Më tej, ai u ndal në rëndësinë që ka kultura dhe evidentimi i saj për një popull. Placido sugjeroi se kultura mund të jetë një mjet mjaft efikas për integrimin e vendit në Europë. “Nëse pretendoni dhe aspironi të shkoni në Bashkimin Europian, atëherë duhet që të jepni vëmendje për zhvillimin kulturës, pasi ajo është mjaft e rëndësishme për një popull”, tha ai.
Aktorit italian me famë mbarëbotërore i uroi mirëseardhjen kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, drejtori i festivalit “Apolonia International Students Film Festival”, Ervis Koçi, si dhe organizatorë e pjesëmarrës të tjerë të këtij festivali të filmit, mes tyre edhe aktori i njohur shqiptar, Mevlan Shanaj.
Kryebashkiaku Zeqaj u shpreh se Fieri ndihet mirë nga vizita e një emri të njohur për shqiptarët, por edhe më gjerë, siç është aktori i madh, Michele Placido. Ndërkohë, aktori Shanaj i rrëfeu kolegut të tij italian se në Shqipëri e duan të gjithë falë personazhit të filmit “Oktapodi”, ku Placido luante rolin e Katanit, komisarit që ndeshej me mafien. “Ne të kemi thënë edhe më herët, në vizitën tuaj të parë në Shqipëri, se këtu të duan, të duan të gjithë që prej kohës kur jeni prezantuar në ekranet e televizioneve si komisar Katani”, iu drejtua Shanaj aktorit italian. Mes disa dhuratave simbolike, kryetari i Bashkisë Fier Baftjar Zeqaj, i ofroi Placidos në shenjë respekti të veçantë edhe bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si një ndër figurat më të shquara në historinë e shqiptarëve. Pas përjetësimit të këtyre çasteve në fotografi, organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij evenimenti së bashku me aktorin italian kanë vizituar parkun arkeologjik të qytetit antik të “Apolonisë” dhe kanë drekuar. Placido është pjesëmarrës në natën e dytë të festivalit. Qysh prej të premtes në Fier ka startuar festivali ndërkombëtar i filmit me metrazh të shkurtër, i cili në natën e parë të tij shfaqi filmin me regji të Bujar Alimanit, “Amnistia”, ku morën duartrokitje të ngrohta nga qytetarët aktorët Luli Bitri, Todi Llupi etj. Në këtë edicion konkurrojnë 50 filma me metrazh të shkurtër nga 27 shtete të botës. Ndërkohë, gjatë ditëve në vazhdim, aktorë amatorë dhe studentë të kinematografisë italiane do të xhirojnë filma me metrazh të shkurtër, duke nxjerrë në pah këndvështrimin e tyre për qytetin e Fierit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.