Veliaj mungon në seancë. Avokatët kërkojnë ndarjen e çështjes, “përplasen” me prokurorin Dado

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë nën hetim. Në seancën e fundit më 24 mars, u legjitimua avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca.
Ashtu si në seancat e mëparshme, Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati Ndreca. SPAK u përfaqësua nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani.
Gjatë seancës, avokati i Fatmir Bektashit, Sokol Hazizi, kërkoi ndarjen e çështjes, duke argumentuar se procesi nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë.
Nga ana tjetwr, prokurori Ols Dado e cilësoi këtë si një strategji për të shtyrë procesin, duke theksuar se prej tetë muajsh nuk është arritur të futet në themel të gjykimit, për shkak të sjelljes së Veliajt dhe avokatit të tij.
Ndërkohë, avokati Ndreca kundërshtoi duke thënë se nuk ka qëllim për të shtyrë seancën, por kërkon një proces të rregullt gjyqësor pa shkelur të drejtat procedurale. Ai u bashkua me avokatin Artan Simoni për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se kërkesa për ndarje nuk mund të bëhet në këtë fazë pa u shprehur të gjitha palët.
Veliaj ka dërguar një shkresë gjykatës ku sqaron se është duke lexuar dosjen e dërguar në IEVP Durrës dhe se në ditët në vijim do të paraqitet personalisht në seancë. Ai ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.