‘Jemi në pikun e pandemisë’, mjeku Pipero: Ja kur pritet të ndodhë kthesa e madhe në Shqipëri

Kjo është java e pikut të koronavirusit në Shqipëri dhe në javën e tretë të prillit vendi ynë pritet të ketë rënie të ndjeshme të rasteve me COVID-19.

Kështu deklaroi mjeku i njohur Pëllumb Pipero në një lidhje live me skype për News24.

Rastet e shumta të të shëruarve nga mjekët shqiptarë, tha Pipero, tregon se ata po e përballojnë me sukses situatën.

“Në fillim të javës së tretë të prillit do të bjerë. Shpresojmë të ketë edhe lehtësim për të kthyer frymëmarrjen e ekonomisë. Piku për ne është kjo javë. Ende nuk dihet me saktësi, por unë besoj kështu. Deri tani e kemi përballuar më së miri situatën. Pritshmëritë për rastet e shëruara janë tejkaluar”, tha Pipero.

Mjeku i njohur rikujtoi edhe njëherë se askush nuk është imun ndaj koronavirusit, ndaj bëri apel për kujdes dhe respektim të masave.

“Ky virus i prek të gjithë nuk bën përjashtime, pavarësisht se sa komplikacione jep. Masat duhen respektuar nga të gjithë”, tha Pipero.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT