I mori jetën kryekomisarit, Kavalishenca e pabanueshme që më 21 shtator

Shtëpia e Pushimit në Durrës, ku humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmataj më 26 nëntor, ka qenë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i datës 21 shtator.
Pavarësisht raportit të ekspertëve që e konsideruan me “rrezikshmëri të lartë”, godina nuk u mbyll, por vazhduan normalisht aktivitetet.
Dhe, lëkundjet e fund nëntorit, sollën shkatërrimin e saj.
Madje, edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, në ambientet e Kavalishencës, pavarësisht se dy godina janë cilësuar si të pabanueshme, qëndrojnë qytetarë që janë strehuar që në shtator.
Sipas dokumenteve që ka publikuar emisioni “Fiks Fare”, Shtëpia e Pushimit në Durrës e ka pranuar edhe vetë që hoteli nr.4 në Kavalishencë ka qenë i shkatërruar nga tërmeti i parë.
Sipas këtyre dokumenteve, pas tërmetit të 21 shtatorit, është bërë një akt konstatimi nga disa ekspertë për hotelin nr.4.
Në të thuhet se: U konstatuan dëme fizike të muraturave…Objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë.
Në tërmetin e datës 26 nëntor, në godinë humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmetaj.
Në ambiente u rrezikua edhe rreth 120 studentë që gjendeshin brenda.
Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare” godina është ndërtuar në vitet 1980’ me strukturë beton arme.
Ajo ka funksionuar si një kompleks tërësor pushimi të administratës së Ministrisë së Brendshme.
Gazetarët tentuan të komunikojnë me drejtorin dhe pas insistimeve morën përgjigje se “materialet e të gjithë dosjes po hetohen”.