‘Një nga turistët më goditi në nofull’/ Lihet në burg autori i vrasjes së portugezit! Ja masat për të arrestuarit e tjerë

Gjykata e Sarandës ka dhënë sot në 21 gusht masat e sigurisë për autorin e vrasjes në një beach bar në Ksamil dhe personat e tjerë, të përfshirë në ngjarje
Po ashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për autorin e ngjarjes, S.V. Po ashtu, gjykata ka caktuar “Arrest në burg” për dy shtetasit turk, N.M dhe E.P, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Është caktuar “Arrest në burg” me afat 45 ditë për E.B, S.S dhe I.C. Gjithashtu, gjykata ka caktuar “Detyrim paraqitje” për shtetasit L.S, R.Sh, M.Zh, M.M dhe K.K.
10 orë seancë, çfarë tha autori në gjykatë:
S.V, autori i dyshuar i vrasjes së turistit portugez ka rrëfyer në gjykatë pozicionin e tij në ngjarjen e rëndë. Ai u ka kërkuar falje familjarëve të viktimës.
“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës. U shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francez ishin brenda në lokal ata po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, ata nuk u bindën e filluan të na shanin.
Ju afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbajnë qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike, kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull, aty jam rrëzuar. Ata kanë tentuar të më godasin sërish, instiktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur, nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku, jam larguar”, ka thënë S.V.
Ndërkohë shtetasi turk N.M para gjykatës ka deklaruar se kishte njohje me autorin e dyshuar S.V, se kanë bashkpunuar për turistët, duke qenë se ai komunikonte anglisht. “S.V më ka marrë në telefon në 6:30 dhe më ka kërkuar ndihmë që ta shoqëroja për në Tiranë, pasi më tha se ishte rrëzuar nga motorri”.
Para trupit gjykues edhe të ndaluarit e tjerë kanë mbajtur qëndrim mohues, pasi pretendojnë se nuk e kanë parë momentin e sherrit.
Nga analizimi i pamjeve filmike, momenti i plagosjes 7 herë me thikë i 21- vjeçarit portugez nuk dallohet qartë. Në momentin që është qëlluar me thikë ai ka ecur dhe disa metra me tutje dhe ka rënë në tokë.
Por, nuk kuptohet qartë nga kamerat nëse kamerierët e kanë parë që 21 vjeçari ishte plagosur dhe nuk kanë njoftuar policinë apo nuk kanë arritur ta kuptojnë.