“Si po shndërrohet çmenduria e komunizmit në qendër edukimi” (FOTO)

“Bloomberg” i ka kushtuar një artikull Piramidës në zemër të Tiranës, ku bëhet një përshkrim historik por edhe viziv i ndërtesës, teksa fokusi spostohet edhe mbi detajet e projektit që synon shndërrimin e saj.

Piramida nisi të krijohej fill pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në 1985-s për të kremtuar figurën e tij, theksohet në shkrim. Ndërtimi i saj në bulevardin qendror të Tiranës mori tre vjet; e mbuluar me mermer të bardhë dhe një yll të kuq në majë, ajo ishte një strukturë që padyshim binte në sy.

Problemi është se vetëm dy vjet pas inaugurimit të saj, regjimi komunist do të shembej, e bashkë me të, dhe reputacioni I Enver Hoxhës. Struktura u mbyll dhe përjetoi një sërë “rimishërimes”: një herë si qendër konferencash, pastaj si vendi për organizimin e një festivali kombëtar xhazi, më tej si teatër; e madje ambientet e saj u shfrytëzuan edhe për një klub nate.

Prej kohësh e braktisur, dhe e mbyllur për publikun, ajo për pak u shemb në 2011-tën, dhe tani, ka më në fund plane për t`i gjetur një përdorim të mirë, shkruan “Bloomberg”. Do të rilindë si qendër edukimi ku do të jenë të mirëpritur edhe turistët.

Projekti, nënvizohet në artikull, po bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ndërsa puna mund të fillojë që muajin tjetër dhe pritet të zgjasë 1 vit e gjysmë, teksa buxheti, thekson “Bloomberg”, ende nuk është njoftuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT