VIDEO/ Alarm për bombë në disa institucione të vendit, zbardhet përmbajtja e emailit kërcënues

Një sërë institucionesh në disa qytete të vendit janë përfshirë mëngjesin e sotëm në një alarm sigurie, pasi në adresat e tyre elektronike është dërguar një mesazh kërcënues me përmbajtje terroriste. Sipas Policisë së Shtetit, emaili është dërguar nga një adresë ende e paidentifikuar dhe në të pretendohej se në institucionet e përfshira ishte vendosur një bombë. Pas marrjes së kërcënimit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë kryer kontrolle dhe verifikime në ambientet e institucioneve të sinjalizuara.
Ndër institucionet që kanë marrë mesazhin kërcënues janë SPAK, GJKKO, ISSH, AIDA dhe institucione të tjera në disa qytete të vendit. Burime për rtsh.al bëjnë me dije gjithashtu se në institucionet ku ka alarm për bombë, për shkak të masave të sigurisë, stafet respektive janë urdhëruar që të mos rikthehen në ambientet e tyre të punës deri në orën 12:00.
Nga kontrollet e kryera deri tani nuk është konstatuar asnjë bombë apo lloj tjetër eksplozivi. Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punon për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik.
Në mesazhin kërcënues pretendohet se në ndërtesa janë vendosur bomba dhe se ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Mesazhi përmban gjithashtu kërcënime të rënda ndaj punonjësve të institucioneve.
“Pershendetje. Kjo eshte Shteti Islamik. Me vulinetin e Allahut, kemi vendosur nje bombē ne ndertesen tuaj. Ajo do te shpertheje pas dy oresh.
Pas késaj, ju te pafe do te copétoheni. Pastaj do t’ju vrasim.
Allahu Akbar”, thuhet në email.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.